Deputeti i VV-së, Ardian Gola, ka komentuar arrestimet për rezervat shtetërore të premten.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic thotë se para se të ketë shkarkime e dorëheqje, duhet të jetë krejtësisht e qartë situata dhe duhet pritur zhvillimet, që të mos merren veprime të ngutshme.
“Shkarkimet dhe dorëheqjet janë vendime të pakthyeshme. Është mirë që fillimisht ta kemi krejtësisht të qartë situatën dhe informacionet e nevojshme. Kjo do të thotë që do të na duhet t’i presim zhvillimet. Përndryshe rrezikohet që çështja të adresohet gabueshëm dhe të ndërmerren veprime të ngutshme”, thotë ai.
Deputeti thotë se ka njohuri që janë arrestuar disa zyrtarëve të administratës shtetërore dhe një qytetar i përfolur si biznesmen.
“Krejt çfarë dimë deri më sot, të paktën unë, janë disa arrestime të disa zyrtarëve të administratës shtetërore dhe të një qytetari, të përfolur si biznesmen, e që përflitet se kanë të bëjnë me rezervat shtetërore. Përfoljet publike dhe disa raportime për abuzime duhet të konfirmohen nga institucionet e drejtësisë për të shërbyer si bazë e qëndrueshme, mbi të cilën mund të përligjen vendime të tilla, si dorëheqja ose shkarkimi”, shprehet ai.
Gola i fton institucionet e drejtësisë që ta kryejnë punën e saj, teksa thotë se ligji është mbi të gjithë.
“Në cilindo rast, u bëj ftesë institucioneve të drejtësisë që të kryejnë punën e tyre konform përgjegjësive që kanë. Koha kur ligji ka qenë përfundi të fortit dhe sipër të dobëtit ka kaluar. Drejtësia duhet të deshmojë se ligji është mbi të gjithë dhe për të gjithë”, deklaron deputeti Ardian Gola./Gazeta Blic/


