Lajme

‘Ligjet e Kurtit’ shumica në Gjykatën Kushtetuese, pse?

07/21/2023 12:39
nga:Y I

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale, raporton Gazeta Blic.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Përveç këtij Ligji, të njëjtin ‘fat’ kanë patur edhe disa ligje të tjera të miratura nga pozita.

Opozita ka dërguar më herët në Gjykatën Kushtetuese edhe Ligjin për KPK-në dhe Ligjin për Zyrtarët Publik.

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se, numri i ligjeve që janë dërgaur nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është dukshëm më i lartë në këtë legjislaturë se sa në legjislaturat e kaluara.

Shala, tha se në jo pak raste Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë respektuar Kushtetutën me rastin e miratimit të ligjeve.

Ai shtoi se kjo është legjislatura që ka patur qasjen më shpërfillëse në raport me Kushtetutën.

“Duhet theksuar faktin se numri i ligjeve të Kuvendit që janë dërguar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është konsiderueshëm më i lartë në këtë legjislaturë, në raport me legjislaturat paraprake. Përderisa kjo është mundësi kushtetuese që i takon deputetëve, në vetvete, inicimi i ligjeve në Gjykatë Kushtetuese nuk mund të konsiderohet diçka negative. Në anën tjetër, jo në pak raste, Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë respektuar Kushtetutën me rastin e miratimit të ligjeve. Realisht, kjo legjislaturë është ndër legjislaturat që ka pasur qasjen më shpërfillese në raport me kushtetutën”, tha Shala për “Gazeta Blic”

Hulmtuesi Shala tha se ka patur edhe ligje të tjera kundër-kushtetuese që janë miratuar në Kuvend, por nuk janë iniciuar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Duhet theksuar këtu Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili është shpallur kundër kushtetuese, apo edhe Projektligjet në proces, siç është Projektligji i ri për Ndryshimin e Ligjit për KPK, Projektligji për Ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Projekt Kodi Penal dhe Projekt Kodi i Procedurës Penale etj. Fatkeqësisht, ka pasur ligje kundër kushtetuese të cilat janë miratuar në Kuvend e të cilat nuk janë iniciuar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. I tillë është ligji përmes të cilit Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është politizuar, duke u futur nën umbrellën e Ministrisë së Drejtësisë”, thotë ai.

Ai tha se në gjithë këtë proces ka edhe një problematikë, pasi deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e atakuara pezullohen automatikisht.

“Në anën tjetër, në këto raste, problematike është fakti se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e atakuara, pezullohen automatikisht. Në këto raste, sipas nenit 43.3. të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese obligohet që të vendosë brenda 60 ditëve. Fatkeqësisht, ky afat nuk është zbatuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim, pos mos efikasitetit të Gjykatës Kushtetuese, konsiderohet si problematike edhe vetë Ligji për Gjykatën Kushtetuese, që në këto raste, 10 apo më shumë deputetëve u jep mundësi që, automatikisht, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme, të pezullojnë hyrjen në fuqi të ligjit, deri në momentin e vendosjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Shala për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

AAK-ja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon vlerësim për Ligjin për Pagën Minimale