Lajme

“Lidhja e djalit të Vuçiç me krimin”, eksperti: Po stërvitet si pasardhës i të atit

06/29/2023 12:53
nga:G B

Ndërsa serbët kanë qenë të organizuar në Graçanicë për festën e Vidovdanit, edhe djali i Aleksandër Vuçiç, Danilo ka qenë prezent.

Ai ka pasur një bluzë me mbishkrimin “dorëzimi s’është opsion”. Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, Danilo është pasardhës i Vuçiç dhe presidenti serb po përgatit djalin e tij për rolin që pritet të marrë.

Ndërkohë, eksperti Shala foli në intervistën për Euronews Albania dhe për një lidhje të djalit të Vuçiç me krimin e organizuar.

“Ndërlidhja e tij me krimin e organizuar në Beograd që ka përmasa dhe ndërkombëtare, kjo dëshmon faktin që i ngjason të atit sepse vetë Aleksandër Vuçiç është pjesë përbërëse dhe e ka kultivuar formacionin e tillë të krimit të organizuar, mos të themi dhe mafias serbe. Djali i tij i vetëm ka kopjuar babain e tij sepse në të ardhmen, sipas asaj që po vihet re, Danilo mund të jetë një pasardhës i Aleksandër Vuçiç,” – u shpreh Shala.