Lajme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës reagon pas ndaljeve të shpeshta të rrymës- Qeveria të ndërmarrë masa të menjëhershme!

12/27/2024 21:36
nga:Y I

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin për ndaljet e shpeshta të energjisë elektrike që po ndodhin ditëve të fundit, dhe ka marrë ankesa të shumta nga anëtarët e saj.

Këto ndërprerje janë duke shkaktuar dëme të mëdha për bizneset në vend.

“Ndërprerjet e energjisë elektrike po ndikojnë direkt në proceset e prodhimit, duke shkaktuar prishje të makinerive , nderprerje të prodhimit dhe vonesa në realizimin e porosive. Ky problem, po çon në humbje të klientëve dhe krijon vështirësi të mëdha për funksionimin normal të bizneseve, duke rritur kështu koston e operimit dhe duke penguar zhvillimin ekonomik, si rezultat i ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike” thuhet në reagimin e tyre raporton “Gazeta Blic”.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës apelon te organet kompetente dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje me energji elektrike.

“Lidhja thekson se energjia elektrike është një nga elementët kyç për funksionimin e bizneseve dhe është e domosdoshme për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e biznesit në vend. Lajmet për ndërprerje të energjisë elektrike, e sidomos në prag të festave janë tejet shqetësuese, pasi ato dëmtojnë imazhin e Kosovës si një destinacion për investime. Nëse këto probleme vazhdojnë, ato mund të kenë ndikim të dëmshëm për investitorët e huaj dhe mund të rrisin importin. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga Qeveria që të përmirësojë urgjentisht kushtet për bizneset, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike” thuhet në reagimin e tyre.