Lajme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon zgjidhje urgjente për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit

11/24/2025 14:34
nga:G B

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar nga bllokimi i buxhetit të Kryeqytetit, i cili po krijon pasoja të rënda për kompanitë private që kanë kontrata aktive me Komunën e Prishtinës.

Për shkak të mosfunksionimit institucional dhe mosmarrëveshjeve politike në nivel lokal dhe qendror, qindra biznese po pësojnë vonesa, humbje financiare dhe rrezikojnë stabilitetin e tyre operativ. Këto bllokada, të shkaktuara nga inate politike dhe mungesë koordinimi ndërinstitucional, po e dëmtojnë drejtpërdrejt sektorin privat – shtyllën kryesore të ekonomisë së vendit.

Inati politik nuk guxon të jetë mbi interesin publik dhe as mbi fatin e kompanive që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon me urgjencë që institucionet qendrore dhe ato lokale të ulen menjëherë dhe të gjejnë zgjidhje funksionale, në mënyrë që investimet, pagesat dhe projektet e kontraktuara të mos mbeten peng i krizave politike.

Çdo ditë e humbur është një humbje e madhe për bizneset, punëtorët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar që të mbrojë interesin e komunitetit të biznesit dhe bën thirrje që përgjegjësia institucionale të jetë në plan të parë.