Lajme

Lidhja e Bizneseve dhe Shoqata e Prodhuesve, kërkesë Ministrit të Bujqësisë dhe AUV-it për publikimin e menjëhershëm të rezultateve zyrtare të VITA-s

07/16/2026 16:30
nga:G B

Lidhja e Bizneseve dhe Shoqata e Prodhuesve kanë bërë kërkesë publike Ministrit të Bujqësisë dhe AUV-it për publikimin e menjëhershëm të rezultateve zyrtare të VITA-s, raporton Gazeta Blic.

“Çdo ditë e kaluar pa publikimin e rezultateve zyrtare po e thellon dëmin ndaj imazhit të prodhuesve vendorë, po ndikon në uljen e konsumit të produkteve vendore, po dëmton besimin e konsumatorëve ndaj prodhimit të Kosovës dhe po krijon hapësirë të padrejtë për favorizimin e produkteve të importuara”, thuhet në kërkesë.

KËRKESË PUBLIKE

Për publikimin e menjëhershëm të rezultateve zyrtare dhe mbrojtjen e prodhuesve vendorë të qumështit

Drejtuar:
Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja
dhe
Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, kërkon publikisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë publikimin sa më të shpejtë të rezultateve zyrtare të analizave laboratorike lidhur me produktet e qumështit.

Çdo ditë e kaluar pa publikimin e rezultateve zyrtare po e thellon dëmin ndaj imazhit të prodhuesve vendorë, po ndikon në uljen e konsumit të produkteve vendore, po dëmton besimin e konsumatorëve ndaj prodhimit të Kosovës dhe po krijon hapësirë të padrejtë për favorizimin e produkteve të importuara.

Prodhuesit vendorë të qumështit kanë investuar për vite me radhë në teknologji moderne, standarde të cilësisë dhe siguri ushqimore. Ata mbështesin çdo kontroll institucional dhe çdo proces profesional të verifikimit, por kërkojnë që këto procese të shoqërohen me transparencë të plotë dhe komunikim të përgjegjshëm publik.

Mungesa e publikimit të rezultateve po krijon pasiguri te konsumatorët dhe dëmton një sektor të tërë ekonomik, i cili mbështet mijëra fermerë, punëtorë dhe familje në Republikën e Kosovës.

Kërkojmë nga institucionet kompetente që të veprojnë me urgjencë, të publikojnë rezultatet zyrtare dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, të fermerëve dhe të besimit të qytetarëve në produktet e Kosovës.

Transparenca institucionale është domosdoshmëri për mbrojtjen e konsumatorit, ekonomisë vendore dhe konkurrencës së drejtë në treg.

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës