Lajme

Lideri i opozitës ruse lajmërohet nga burgu i Arktikut

12/26/2023 13:09
nga:Sh R

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny ka konfirmuar mbërritjen e tij në një burg të Arktikut dhe tha se është në humor të mirë.

Ekipi i tij nuk kishte asnjë kontakt me të që nga 6 dhjetori, pasi ai u zhvendos nga një burg tjetër në lindje të Moskës.

Por më 25 dhjetor, zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh tha se ai ishte gjetur.

I konsideruar si kundërshtari më i zëshëm i Vladimir Putinit, ai është i burgosur që nga viti 2021.

Navalny konfirmoi të martën se ai ishte transferuar në koloninë penale IK-3, me nofkën “Ujku Polar”, në qytetin verior të Kharp, rreth 1,900 kilometra në verilindje të Moskës, raporton BBC.

IK-3, në rrethin autonom Yamalo-Nenets, shihet si një nga burgjet më të vështira në Rusi dhe shumica e të burgosurve të mbajtur atje janë dënuar për krime të rënda.

Duke shkruar në X, i njohur më parë si Tëitter, Navalny tha se ai ishte transportuar me një “masë të tillë paraprake” dhe përgjatë “një rrugë kaq të çuditshme” sa u befasua kur iu tha se avokati i tij ishte aty për ta parë atë,

“Më tha se më kishe humbur, madje disa prej jush ishin të shqetësuar. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj!” ai shkroi. “Mos u shqetëso për mua, unë jam mirë.”

Navalny ishte mbajtur më parë në Melekhovo, 235 kilometra në lindje të Moskës. Ai po përballet me një dënim prej 19 vitesh burgim, për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste – akuza që ai gjithmonë i ka mohuar.