Se ku do të vendosen ende nuk dihet.
Por Kosova tashmë është e gatshme për të pritur grupin e parë të refugjatëve afganë.
Në bashkëpunim me administratën amerikane, koha e ardhjes së tyre do të kuptohet brenda pak ditëve.
Këtë afat e dha presidentja Vjosa Osmani, në një prononcim për mediumin britanik, Sky News.
“Ne do ta dimë këtë me siguri kah fundi i kësaj jave, sepse janë shumë komplikime sa i përket sigurimit të transportit të tyre. Nuk është aq e thjeshtë sa duket. Nuk është se këta njerëz mund vetëm të largohen”, deklaroi ajo.
Kjo është hera e dytë që shefja e shtetit, flet për këtë çështje në mediat e huaja.
Por, deri tash këtë nuk e ka bërë në ndonjë të vendit ku bartë postin. Pyetjeve për temën më të përfolur të këtyre ditëve, as ajo e as kryeministri nuk iu përgjigjën të premten pas ngjarjes së dhurimit të vaksinave nga Amerika.
Të kontaktuar për këtë nga Klan Kosova, nga stafi i presidentes thanë se kjo është çështje e ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndërkohë as nga ekzekutivi, nuk kthyen përgjigje për këtë proces.