Lajme

Liderët e partive nesër në takim me Osmanin/ Analisti tregon pritjet

05/14/2025 14:24
nga:G B

Nesër krerët e partive do të takohen me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, pas ftesës që ajo u bëri, për të diskutuar për ngërçin institucional.

Lidhur me pritjet nga ky takim, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se duhet të dalin disa konkluzione nga një marrëveshje në mes të partive.

“Disa konkluzione duhet të dalin si proces i marrëveshjes ndërpartiake: 1.Zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe pesë nënkryetarëve apo konstituimi i plotë i kuvendit. 2. Marrëveshja politike për themelimin e e kuvendit dhe qeverisë apo pranim i partive të hyjnë në koalicion kush i ka numrat, nëse VV nuk ka gjasa t’i bëjë numrat, të diskutohen alternativat tjera të themelimit të institucioneve Kuvendit dhe Qeverisë. 4. Nëse nuk ka marrëveshje dhe dështojnë opsionet me partitë politike, ose duhet të themelohet qeveri teknike e ekspertëve për 1 vit kohëzgjatje, ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pra, opsioni i fundit mund të jetë pëlqim ndërpartiak për një qeveri teknike të ekspertëve”, u shpreh ai.

Megjithatë, Burjani thotë se nuk pritet ndonjë zhvillim sensacional nga takimi te presidentja.

Ai thotë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi e më pas rrjedhin afatet për hapat e tjerë.

“Sipas partive, nuk presin ndonjë zhvillim sensacional të këtij takimi me presidenten, disa nga ata nuk janë optimistë për zgjidhje. Të shpresojmë të dalin disa konkluza që së paku të konstituohet kuvendi, pastaj hapat e tjerë kanë kohë deri në themelimin e qeverisë, janë 25 ditë sipas Kushtetutës, 15+10 herën e parë, 15 ditë kohë, herën e dytë 10 ditë”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/