Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, e ka quajtur lider mashtrues dhe të paaftë kryeministrin Albin Kurti dhe VV-në parti mashtruese dhe të paaftë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka publikuar një komunikatë të VV-së lidhur me energjinë, derisa ka thënë se aty paraqiten disa mashtrime, prej të cilave ka veçuar dy, që thotë se e paraqesin fytyrën e vërtetë të kësaj partie mashtruesish dhe të paaftësh.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë!
Lexojeni këtë komunikatë të partisë së Albin Kurtit, e cila i ka disa mashtrime brenda pak rreshtave. Unë do t’i veçoj dy prej tyre për të paraqitur fytyrën e vërtetë të kësaj partie mashtruesish dhe të paaftësh.
<Duke u ndërlidhur nga situata botërore energjetike që ka prekur edhe rajonin>. Po duan t’ia lënë fajin reduktimeve të rrymës 6:2 në pikën e verës, në mes të gushtit, situatës botërore energjetike. Kjo është një gënjeshtër që del nga zyra e Kurtit, sepse reduktimet 6:2 janë pasojë e paaftësisë së Qeverisë Kurti dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me krizën botërore energjetike. KEK-u, që drejtohet nga një bord i të paaftëve të emëruar nga Kurti dhe VV nuk po arrijnë të prodhojnë rrymë as sa është kapaciteti i termocentraleve të Kosovës, prandaj ka mungesë të energjisë elektrike.
<Falë punës dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë (KEK – KESH)… është arritur që të evitohen reduktimet dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike>. Edhe kjo është një gënjeshtër në komunikatën e Albin Kurtit të lëshuar me logon e partisë së tij. Nuk janë evituar reduktimet dhe nuk po vazhdon furnizimi i rregullt me energji elektrike. Përpjekjet e pushtetit që të gënjejë qytetarët se gjoja ka furnizim të rregullt me energji elektrike janë qesharake, sepse ne po jetojmë këtu dhe e dimë se kur nuk ka rrymë.
Lider mashtrues – Parti e mashtruesve!
Lider i paaftë – Parti e të paaftëve!


