Lajme

Liberalizimi i vizave/ Sa qytetarë udhëtuan nga Kosova drejt Evropës që nga janari

10/10/2024 16:01
nga:N K

Që nga 1 janari i këtij viti, kosovarët kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në të gjitha shtetet e Evropës.

Si rezultat i kësaj, vendi ynë ka regjistruar një rritje të dukshme në krahasim me vitin e kaluar, në numrin e pasagjerëve që udhëtojnë drejt vendeve evropiane.

Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë është bërë një rritje prej 25% të shfrytëzimit të autobusëve.

Kështu bëri të ditur, Shqipe Durmishi, zyrtare për marrëdhënie me publikun nga ky dikaster.

“Fillimisht nga Stacioni i Autobusëve realizohen nisjet ndërurbane dhe ndërkombëtare. Nisjet ndërkombëtare realizohen kryesisht më shumë gjatë sezonit të festave dhe pushimeve verore dhe dimërore, ndërsa këto ndërurbane gjatë gjithë vitit. Bazuar në zhvillimet e fundit me liberalizimit të vizave është vërejtur që nisjet ndërkombëtare realizohen edhe gjatë periudhës tjetër të vitit. Nëse e bëjmë një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra janar-shtator 2023 dhe 2024 mund të themi se kemi një rritje të lehtë të nisjeve ndërkombëtare, diku rreth 25 % krahasuar me vitin 2023”, potencoi Durmishi.

E, nga kjo rritje, Durmishi thotë se në këtë stacion fokusi më i madh i pasagjerëve ka qenë në linjat për Gjermani, Austri, Slloveni si dhe shtete të tjera.

“Linjat më të shpeshta që janë realizuar nga stacioni i autobusëve, kryesisht janë Gjermania, Austria, Sllovenia mandej shkojnë edhe shtetet tjera. Por, në këto shtete ka qenë fokusi më i madh i udhëtarëve”, tha ajo.

Por, kjo rritje nuk u frekuentua vetëm në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, por edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Siç njofton për GazetaBlic, zyra për marrëdhënie me publikun nga Aeroporti i Prishtinës, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2023, këtë vit rritja ka shkuar deri në 15.17%.

“15.17% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2023)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Derisa, për tërë këta muaj nga Aeroporti i Prishtinës drejt shteteve të Evropës, në përgjithësi janë bërë mbi 19 mijë fluturime, në të cilat kanë qenë rreth tre milionë pasagjerë.

Totali janar-shtator: 3,051,957 (udhëtarë)  dhe  19.464 fluturime”, njofton tutje Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

Kujtojmë që Spanja pavarsisht se nuk njeh Kosovën si shtet, që nga janari është bërë vendi më i ri që është bashkuar me zonën Schengen, duke lejuar kështu udhëtimin pa viza për qytetarët kosovarë edhe në këtë shtet.

/GazetaBlic/