Lajme

“Liberalizimi i vizave për Kosovën”, Bislimi në takim me një delegacion nga Lituania: Kërkoi përfundimin e këtij procesi

09/09/2022 22:18
nga:Genita C

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion parlamentar nga Lituania, kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Dr.Laima Andrikienė, raporton GazetaBlic.

Në këtë takim, Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën e integrimit evropian.

Përmes një komunikate për medie, thuhet se në këtë takim është biseduar edhe rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

Komunikata e plotë:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion parlamentar nga Lituania, kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Dr.Laima Andrikienė.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën e integrimit evropian, ku pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, synojmë të aplikojmë për anëtarësim në BE brenda këtij viti. Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi të gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kosova është shtet i vogël, demokraci e re, me potencial të madh. Avancimi përmes shënimit më të lartë ndonjëherë të zbatimit të reformave dhe masave në agjendën evropiane, si në reformat në drejtësi, në luftimin e korrupsionit, në formalizimin e ekonomisë, në digjitalizim, në tërheqjen e investitorëve strategjikë e shumë fusha të tjera, është reflektuar dhe në përmirësimin historik të pozicionimit të Kosovës në renditjet botërore.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi delegacionin parlamentar për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme të tyre ndaj Kosovës.