Lajme

Liberalizimi i vizave me Kosovën, ndër sukseset më të mëdha të Presidencës çeke

12/23/2022 14:47
nga:N M

Shefi i diplomacisë çeke, Jan Lipavsky, ka thënë se një prej sukseseve të vendit të tij si kryesues i Këshillit të BE-së është liberalizimi i vizave me Kosovën.

Në një deklaratë për agjencinë çeke të lajmeve ČTK, ai ka thënë po ashtu se edhe marrja e statusit të vendit kandidat nga ana e Bosnje e Hercegovinës për anëtarësim në BE është në mesin e sukseseve tjera të presidencës çeke.

“…Si një nga sukseset e presidencës çeke, Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Lipavsky.

Ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Mikulash Bek, paralajmëroi në fund të presidencës çeke të BE-së, një nga prioritetet e së cilës ka qenë edhe ndihma e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, se anëtarësimi i plotë për vendet kandidate, përfshirë Serbinë, do të ishte i mundur vetëm kur BE të reformonte institucionet dhe mekanizmat e veta të vendimmarrjes.

“Kjo është gjendja aktuale e debatit politik në BE kur bëhet fjalë për zgjerimin. Nga ana tjetër, shohim se zgjerimi ka efekte të rëndësishme në vendet që i afrohen BE-së. Disa vende zbatojnë intensivisht reformat, nuk e kanë problem të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me vendet e BE-së. Në atë rast është e mundur që ata të hyjnë në BE edhe para reformës së saj”, tha Lipavsky për agjencinë çeke të lajmeve ČTK.

“Sot, nuk ka asnjë vend (kandidat) që do të ishte gati për t’u anëtarësuar në BE, thënë fjalë për fjalë një vend që po pret jashtë derës vetëm që ne ta lëmë të hyjë. Secila nga këto vende është në një fazë të ndryshme të procesit, por asnjë prej tyre ka përfunduar 100 për qind”, shtoi ministri i Jashtëm çek.

Kreu i diplomacisë çeke e konsideroi sukses faktin që zona Schengen u zgjerua edhe në Kroaci, transmeton Klankosova.tv

Zemaj për rastin në Spitalin e Pejës: Fshehja e rastit nga pushteti përgjegjës është krim makabër