Kontrata e Robert Lewandowski, sulmuesi 37-vjeçar i Barcelonës skadon në fund të sezonit aktual. Në një intervistë me podkastin High Performance, sulmuesi konfirmoi se nuk planifikon ta përfundojë ende karrierën e tij, por se po përgatitet për momentin kur të varë këpucët në gozhdë.
“Nuk kam frikë ta përfundoj karrierën time, tashmë po filloj të përgatitem për të, për atë që do të bëj pas futbollit”, tha Lewandowski.
“Futbolli është një pjesë e rëndësishme e jetës sime, por nuk është e gjithë jeta ime, veçanërisht tani”, vazhdoi polaku, i cili nuk ndihet nën presion për të ndaluar së luajturi: “E di që jam afër fundit të karrierës sime, pas një, dy, tre… ndoshta katër vitesh. Nuk e di, por nuk ndihem në presion. Nëse një ditë e dëgjoj trupin tim dhe ndiej se diçka ka ndryshuar, do të jem gati ta përfundoj karrierën time.”
Lewandowski zbuloi gjithashtu se Barcelona i kërkoi të ishte i ashpër me lojtarët më të rinj në skuadër. “Tek Bayern , mentaliteti ishte i ndryshëm sepse ne ishim lojtarë më me përvojë dhe më të fortë. Te Barcelona, pashë shumë lojtarë të rinj që duhej të ishin më të fortë me veten. Klubi më tha se kishin nevojë për dikë si unë, dikë që t’u mësonte atyre se të qenit në krye nuk është çështje një ose dy javësh, se është e rëndësishme të shkosh në palestër dhe se është e rëndësishme të punosh shumë çdo ditë”, shpjegoi ai.
Ky proces mësimi ishte i dyanshëm: “Fillova t’i njihja dhe të mësoja prej tyre gjithashtu. Fillova të shihja se atyre nuk u pëlqente kjo lloj sjelljeje dhe se e kuptonin shumë mirë futbollin. Mendoj se kur ishim në moshën që janë këta lojtarë, nuk e kuptonim futbollin në të njëjtën mënyrë siç e kuptojnë këta lojtarë.”
“Unë jam më i vjetër se lojtarët. Jam më i vjetër se babai i Lamines, për shembull. I thashë vetes: ‘Edhe ti duhet të mësosh prej tyre'”, rrëfeu ai.
/GazetaBlic Sport


