Një peticion qytetar nën moton “Drejtësi për UÇK- Jo dosje nga BIA” kundër Gjykatës Speciale është organizuar nga Lëvizja Ndryshe.
Ky peticion do të dorëzohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Organizatorët thonë se peticioni bëhet në emër të të gjithë qytetarëve që besojnë në drejtësi të barabartë, transaparente dhe të ndershme.
Në këtë iniciativë kërkohet mbikëqyrje e pavarur për Gjykatën Speciale, gjykim i drejtë dhe jo politik, krijimi i një trupi mbikëqyrës të përbashkët SHBA-BE-KOSOVË si dhe ndalimi i përdorimit të dosjeve nga BIA serbe si “prova”.
“Ky është një apel për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin tonë historik. Liri për çlirimtarët. Drejtësi për të vërtetën,” thuhet në peticion.
Organizatorët bëjnë thirrje për të arritur 50 mijë nënshkrime, në mënyrë që zëri qytetar të dëgjohet në instancat ndërkombëtare.
Ndërkaq, të pyetur për këtë iniciativë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për Gazeta Blic kanë thënë se e mbështesin çdo inciative që synon të ndihmojë në nxerrjen në pah të së vërtetës dhe në adresimin e padrejtësive që, sipas tyre, po u bëhen ish-luftëtarërve nga Gjykata Speciale.
“E mbështesim çdo iniciativë të kujtdo që synon të ndihmojë në nxjerrjen e së vërtetës dhe adresimin e padrejtësive që po bëhen ndaj bashkëluftëtarëve tanë,”, ka thënë Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Megjithatë, Syla u shpreh se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, janë skeptik për ndikimin e peticioneve të tilla, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë vendor.
“Është vështirë të parashikohet efekti i një peticioni të tillë, pasi Kosova nuk është anëtare e shumë institucioneve ndërkombëtare që i trajtojnë zyrtarisht këto çështje. Edhe në nivel nacional kemi rezerva, ngase edhe kategoritë e dala nga lufta kanë ndjekur më herët këtë rrugë, por pa rezultat,” theksoi Syla për Gazeta Blic.


