Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov i ka sugjeruar Presidentit Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të arritur garancitë e sigurisë nga perëndimi.
Lavrov u takua me Putin të hënën dhe tha se Moska duhet të vazhdojë dialogun me perëndimin, edhe pse përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk kanë qenë “të kënaqshme”.
I pyetur nga Putin nëse ka kuptim vazhdimi i përpjekjeve diplomatike, Lavrov u përgjigj se mundësitë për bisedime nuk ishin shterur dhe propozoi vazhdimin e negociatave.
“Ne kemi paralajmëruar tashmë më shumë se një herë se nuk do të lejojmë negociata të pafundme për çështjet që kërkojnë zgjidhje sot”, mesohet te kete thene Lavrov, raporton The Guardian.
Por si ministër i Jashtëm, ai tha: “Më duhet të them se ka gjithmonë shanse” dhe shtoi:
“Më duket se mundësitë tona nuk janë të shteruara… Në këtë fazë, do të sugjeroja vazhdimin e tyre”.
Aktualisht, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, po takohet me Putinin.
Ai thotë se stërvitjet e përbashkëta ushtarake në Bjellorusi po shkojnë drejt fundit.
Këto stërvitje, në një vend fqinj me Ukrainën, janë parë si një nga elementët haptazi më kërcënues të dislokimit të forcave të Kremlinit rreth kufijve të Ukrainës.