Letra e politikanëve perëndimorë dërguar Blinkenit, Borellit dhe Cleverley’t, ku po kërkojnë qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit për shkak të Kosovës është e qëlluar dhe ndodhi në momentin e duhur.
Kështu të paktën thotë për GazetaBlic, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Dritëro Arifi i cili potencon se Bashkimi Evropian qysh nga shpallja e Pavarësisë së vendit tonë ka pasur qasje të pabalancuar me Kosovën.
“Letra e politikanëve perëndimor drejtuar Blinkenit e Borrellit është e mirëpritur, është e qartë dhe e saktë. Kjo gjendje është që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri më sot, sidomos Bashkimi Evropian ka pasur qasje të pabalancuar ndaj Kosovës, me mosnjohjen e pavarësisë”, tha Arifi.
Arifi shtoi se Serbia është duke e dëmtuar komplet Ballkanin Perëndimorë dhe sipas tij, vetëm nëse BE-ja e njeh Kosovën, ky dëmtim i Serbisë mund të balanconte Ballkanin Perëndimore.
Sipas Arifit, tashmë është koha që edhe masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen.
“Një Serbi destruktive nuk është duke e dëmtuar vetëm Kosovën, por po e dëmton të ardhmen e komplet rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt strukturave euroatlantike, pavarësisht që disa vende janë në NATO, ato nuk e kanë ende një rrugë të sigurtë rreth BE-së, pikërisht për shkak të problemeve që po i shpërndan Serbia. Me një njohje të Kosovës nga Bashkimi Evropian mundet deri diku të balancohej komplet Ballkani Perëndimor. Duhet të ndryshohet qasje dhe mendoj se tani është momenti që të largohen ato masa ndëshkuese dhe të kërkohet llogari nga të gjitha palët, jo vetëm nga njëra”, tha Arifi.
“Pra, letra është e qëlluar dhe në momentin e duhur”, shtoi Arifi për GazetaBlic.
Ndryshe, polititkanë të disa shteteve perëndimore i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Ata kanë kërkuar nga Borrell, Blinken dhe Cleverly qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit.
“Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim I juaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letrën drejtuar Josep Borrell, Anthony Blinken dhe James Cleverly.
Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Jashtëm të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër.
Politikat aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me synimin për Serbinë dhe Kosovën nxjerrin në pah “dobësi në qasjen tonë të përbashkët”.
Politikanët e huaj po bëjnë thirrje për kthim në ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.
“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcës mbrojtëse të NATO-s KFOR, sqarojnë ‘mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike’”, shkruan Tagesspiegel.
“Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet në letër.
Artikullin e Tagesspiegel e ka shpërndarë Michael Roth, i cili në Twitter ka shkruar se kërkojnë qëndrim më kritik ndaj Serbisë dhe politikë më konstruktive ndaj Kosovës.
/GazetaBlic/


