Reagime të shumta janë bërë pas letrës së kreu i VV-së, Albin Kurti i dërgoi kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për një takim për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.
Lidhur me këtë, njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se letrën e Kurtit ndaj Abdixhikut e sheh të vonuar, por që thotë se është mirë që Kurti ka reflektuar.
“Letra e dërguar nga Kurti për Abdixhikun, ndonëse është e vonuar, mirë që i është bërë për t’u takuar. Tani mund të ketë dy mundësi. E dimë që Kurti ka pasur takim edhe me Limajn dhe ndoshta, ose kanë arritur ndonjë marrëveshje, ose edhe nuk është e sigurt ajo marrëveshje, gjithsesi edhe po të kishte një marrëveshje me Limaj, do të kishte 61 apo 62 numra, nëse edhe deputetja Duda Balje do ta votonte, pra nuk do të ishte qeveri stabile, çfarë i duhet Kosovës dhe ndoshta kjo është arsyeja që z.Kurti ka reflektuar dhe ka vendosur që ta ftojë edhe LDK-në që të diskutojë dhe të presim se çfarë do të ndodhë. Përndryshe ne e dimë se Abdixhiku ka pasur më parë një bashkëpunim me z.Kurti kur ishte në qeveri dhe ndoshta dhe kjo ka qenë shtytje për z.Kurti që t’i bëjë së pari ftesën z.Abdixhiku”, shprehet ajo.
Sa i përket ndryshimit të Kurtit, i cili opozitën i quante ‘hajvanë’, ajo thotë se ofendime të tilla nuk është dashur të ndodhin fare, dhe tani duhet parë veprimet e Kurtit pasi vetëm ftesa nuk mjafton.
“Ky ndryshim i z.Kurti karshi opozitës mendoj se është ndryshim që do të duhej të ndodhte shumë më herët dhe në fakt ato ofendimet nuk do të duhej të ndodhnin fare, por mirë është që ka reflektuar dhe tani të presim për veprimet e tij sepse nuk mjaftojnë vetëm ftesat”, ka vlerësuar Shkodra për Gazeta Blic.
Ajo ka kujtuar qëndrimet e LDK-së, teksa thotë se duhet parë nëse do të ndryshojnë apo do t’i kenë të njëjtat, derisa shton se mbetet të shihet nëse Kurti është i gatshëm t’ia japë Abdixhikut postin e kryeministrit dhe vet të bëhet president më pas.
“Nga deklaratat e zyrtarëve të LDK-së kishte se organet e partisë do të vendosin se çfarë do të ndodhë por në të kaluarën ne kemi pasur qëndrim nga LDK se me votën që e kanë marrë do të qëndrojnë në opozitë dhe të vetmin opsion për të hyrë në qeveri e kanë postin e kryeministrit. Ta shohim a do të lëvizin nga këto qëndrime apo do t’i kenë të njëjtat. Nëse LDK ngul këmbë të mbetet në qëndrimin për postin e kryeministrit dhe nëse Kurti e sheh që ta ketë një qeveri më të gjerë, sepse nëse LDK dhe Nisma i bashkohen, s’do të kemi as krizën për zgjidhjen e presidentit të ardhshëm, por shtrohet pyetja a do të jetë Kurti i gatshëm që t’ia japë Abdixhikut postin e kryeministrit, e të shkojë vet në postin e presidentit, që do të ishte dhe pensionim politik i Albin Kurtit. Të presim se çfarë do të shohim dhe ndodhë në ditët në vazhdim. Mua më vjen mirë që partitë shqiptare të bashkëpunojnë, duhet të theksojmë që duhet të kemi sa më parë institucione të reja, kryeminisër sa më shpejt dhe e mira që të kemi një qeveri të gjerë, për të pasur stabilitet karshi sfidave gjeopolitike që ka Kosova”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/