Lajme

Letra e stafit të Infektivës për MSH-në: Refuzojmë lëmoshën, 60 euro vendim denigrues dhe fyes

08/26/2021 15:37
nga:M K

Stafi i Klinikës Infektive në QKUK ka dërguar një letër në adresë të Gazetës Shneta, e cila i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Njëri nga mjekët e klinikës, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka deklaruar se kjo letër është shkruar në pajtim me të gjithë stafin e klinikës Infektive.

Në këtë letër stafi mjekësor janë ankuar për vendimin e Qeverisë për ndarjen e shtesave prej 60 eurove si përkrahje për punëtorët shëndetësorë për punën e tyre gjatë pandemisë në muajt korrik, gusht dhe shtator.

Ata e kanë quajtur vendim denigrues dhe fyes, ndërsa kanë deklaruar se nën betimin e Hipokratit do të luftojnë kundër Covid-19.

“Refuzojmë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe nën betimin e Hipokratit do të vazhdojmë të luftojmë kundër Covid-19 me të gjitha forcat tona sepse pacienti ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shenjtë”, thuhet në këtë letër.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë kanë reaguar edhe sindikatat dhe oda e infermierëve të cilët e kanë konsideruar si të papranushëm shumën prej 60 eurove.