Lajme

Letra e Kurtit për Abdixhikun/ Analistët: “LDK s’bie në grackën e VV-së”, “Fatale nëse futet në koalicion”

05/05/2025 21:17
nga:G B

Kreu i VV-së, Albin Kurti, i ka shkruar letër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, ku i ka kërkuar që të bëjnë koalicion për të qeverisur me vendin.

“Nuk kemi problem me ju. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.

Po ashtu, ai kishte thënë se koalicioni LVV-LDK do të bëhet herët a vonë, edhe nëse mbahen zgjedhje të reja, andaj “pse ta bëjmë më vonë kur mund ta bëjmë tash?”.

Por, Abdixhiku tha se qëndrimet e LDK-së dihen, teksa tha se do të kthejë përgjigje me kohë.

“Pritni, kini durim, do të jemi transparent si çdo herë. Qëndrimet e LDK-së ju tashmë i dini”, tha Abdixhiku para gazetarëve.

Lidhur me letrën, ish diplomati Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se VV do koalicion me PDK-në, po aq sa me LDK-në.

Sipas tij, letra është në mënyrë urdhërore për LDK-në, thuajse janë të ndërtuar për të bërë koalicion.

“VV do koalicion me PDK-në po aq sa me LDK-në. Kjo letër tregon mungesën e karakterit të burrështetasit të Kurtit dhe domosdonë e madhe të tij që të mbetet në pushtet. Letra pothuajse përmban urdhër për LDK-në “se ne jemi të maruar që të jemi bashkë” dhe “ec eja mos u vono”. Kurti nuk e ka trajtuar askënd në opozitë si rival politik por të gjithë i ka trajtuar si armiq. Ka bërë gjithçka për t’i shkatërruar në çdo formë e më së shumti moralisht në sy të popullit të Kosovës”, vlerëson ai.

Arifi nuk beson se LDK do të bie në grackën e VV-së, por edhe nëse bie, do të jetë qeveri sikur Kurti 1.

Ai shton se Kurti po kërkon parti që të shkrihet në VV dhe jo partner.

“Nuk besoj se LDK do të bie në grackën e tij por edhe nëse bie, do të jetë një qeveri që do të zgjasë plus minus Kurti 1. Kurti nuk po kërkon partner por po kërkon subjekte politike që shkrihen në VV dhe që i nënshtrohen diktatit të tij. Asnjëra nga tri partitë politike PDK, LDK, AAK nuk janë të ndërtuara për t’iu nënshtruar diktatit apo për t’u shkrirë diku tjetër”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani e sheh si gabim të LDK-në mundësinë për t’u futur në koalicion me VV-në, pasi do të ishte fatale për të.

“Do të ishte gabim i madh i LDK që të bëjë koalicion i cili zgjatë vetëm një vjet, pse LDK duhet gjithmonë të lëshojë pe, edhe atë duhet edhe për të bërë qeveri e kryetar kuvendi, dhe Vjosës me ia dhënë kot edhe një mandat, çfarë fiton Lumiri e LDK me bë Kurtin edhe njëherë Kryeministër”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sipas Burjanit, LDK e ka provuar njëherë koalicionin me VV-në, ndërsa PDK do të ishte ndryshe.

“LDK e ka provuar njëherë me VV-në koalicionin, të gjithë e dinë si ka përfunduar, është fatale të hyjë LDK në koalicion me VV-në, të digjet deri në fund, kjo është çështje e LDK-së por nëse ia bën këtë nder edhe njëherë VV-së, atëherë nuk ka mësuar leksion nga hera e parë e dështimit fatal, është gabim i madhe nëse këtë e bën LDK, PDK është diçka tjetër por LDK nuk i ka punët mirë fare, as anëtarësia nuk pajtohet me politikën e deputetëve që zgjedhen gjithherë të njëjtë nga radhët e LDK-së. LDK nuk është si ka qenë, është e kapur nga deputetë për shumë vite që sillen në kuvend pa asnjë përfitim të anëtarësisë së tyre”, potencon ai.

Analisti tregon pse Kurti do koalicion me LDK-në dhe jo PDK-në.

“PDK është skajshmërish ende e akuzuar për korrupsion dhe gjëra të ngjashme, PDK është duke u reformuar por ende ka njerëz që punojnë për këtë subjekt politik, këtë e di Kurti shumë mirë, për këtë arsye e kërkon LDK-në si partnere qeverisëse e jo PDK-në”, deklaron Blerim Burjani.

Mbetet të shihet se si do të përgjigjet LDK ndaj kësaj letre dhe ftese për koalicion me VV-në./Gazeta Blic/

 

 

Abdixhiku për letrën e Kurtit: Keni durim, qëndrimet e LDK-së tashmë i dini

Publikohet letra | Albin Kurti lut Lumir Abdixhikun për koalicion