Lajme

Letra e Gërvallës për Asociacionin, sipas Gjermanisë nuk mjafton

05/16/2024 12:06
nga:G B

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe se i njëjti draftstatut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.

Ambasada gjermane në një deklaratë për Dukagjinin thekson se Gjermania e vlerëson hap konkret vetëm dërgimin e draftstatutit në Kushtetuese.

Por, Ambasada gjermane ka përsëritur që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës të jetë i suksesshëm, duhet që draftstatuti të dërgohet në Kushtetuese para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, që mbahet sot dhe nesër.

“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Sot, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.