Prokuroria Themelore e Prishtinës po heton lëshimin për qarkullim të Urës së Badovcit, pa testim final. Dje është intervistuar një person, në cilësinë e të dyshuarit, dhe është hapur rast për veprën “Mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”. Por, kush është personi që u intervistua? Flasin nga Prokuroria
Më 31 vjetor të vitit 2024, Ura e Badovcit u lëshua për qarkullim, pas punimeve që zgjatën gati një vit. Një javë pas hapjes, u konfirmua se ura nuk i ishte nënshtruar testimit final para se të lëshohej për qarkullim.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur dje hetime dhe ka intervistuar një person.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë se personi që është intervistuar është pronari i kompanisë “Dreni Iniginiering”, përgjegjëse për testimin e saj. I njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se Prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim organeve të policisë për të hetuar çështjen e urës së Badovcit, po ashtu Prokurori i rastit ka autorizuar policinë që në ndërmarrjen e veprimeve hetimore të intervistohet si i dyshuar pronari i kompanisë (Dreni Iniginiering)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Reporteri.net.
Kjo kompani e kishte lidhur lëshimin për qarkullim të urës pa testim, me festat e fundvitit.
“Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- kishte deklaruar Adnan Lushtaku.
Edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e kishte konfirmuar se ura ishte lëshuaar për qarkullim pa u testuar, duke shtuar se ura është stabile, ndonëse kjo vërtetohet nga testimi.
Ai kishte deklaruar se kjo urë është ndërtuar me standardet më të larta dhe se janë testuar materialet gjatë të gjitha fazave.
“Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, kishte shkruar Durmishi në llogarinë e tij në Facebook, më 8 janar.
Të nesërmen, kjo urë ishte mbyllur për qarkullim për t’u testuar.
Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks kontrate të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare. Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6000 euro.
Në maj të vitit 2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës. Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re.
Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024.
Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro./Reporteri