Sporti

Leo Messi: Spanja dhe Katalonja janë pjesë e jetës sime

06/03/2026 23:31
nga:Mergim Rreci

Ikona e futbollit botëror, Lionel Messi, është vlerësuar me një nga çmimet më prestigjioze ndërkombëtare, Çmimin “Princesha e Asturias” për Sport për vitin 2026, si njohje për karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe ndikimin e madh në historinë e futbollit.

Në reagimin e tij pas marrjes së lajmit, Messi shprehu mirënjohje të thellë për këtë nderim, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me Spanjën dhe Katalonjën, ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës dhe jetës së tij personale.

“Për mua është një krenari e madhe. Spanja dhe Katalonja janë pjesë e jetës sime: u rrita si futbollist, jetova atje për shumë vite dhe aty më lindën fëmijët e mi. Kam ndjerë gjithmonë shumë dashuri nga njerëzit dhe ky çmim ka një kuptim shumë të veçantë për mua,” u shpreh Messi.

Ylli argjentinas theksoi gjithashtu se sukseset e tij nuk janë arritur kurrë i vetëm, por falë bashkëpunimit me shokët e skuadrës, familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij.

“Nuk kam arritur asgjë i vetëm. Pas çdo suksesi qëndrojnë shokët e ekipit, familja dhe shumë njerëz që më kanë ndihmuar gjatë rrugës,” shtoi ai.

Në fund të fjalës së tij, Messi përcolli edhe një mesazh frymëzues për brezat e rinj, duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos harrojnë vlerat njerëzore që sporti përcjell.

“Shpresoj që historia ime t’u shërbejë shumë djemve dhe vajzave që të vazhdojnë të ëndërrojnë, me punë dhe dashuri për sportin, dhe të përpiqen të jenë njerëz të mirë dhe të respektojnë vlerat që na mëson sporti.”

/GazetaBlic Sport/