Sporti

Lëndohet skiatori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, nuk mund të garojë në Lojërat Olimpike

02/08/2022 19:42
nga:L J

Në stërvitjen e sotme në Yanking, gjatë përgatitjeve për pjesëmarrjen e tij të parë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Dardan Dehari është rrëzuar keq.

Skiatori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Dehari, ka pësuar lëndim të rëndë në gjurin e djathtë, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut.

“Pas konsultimeve të para mes doktor Lubomir Ognjenoviq, i cili ndodhet në Pekin, mjekëve kinezë dhe kryetarit të Komisionit Shëndetësor të IOC, doktor Nebojsha Nastov, bëhet fjalë për çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë të gjurit të djathtë dhe Dardan Dehari do të operohet menjëherë”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Kujtojmë se Dardan Dehari, i cili mbajti flamurin e Maqedonisë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, duhej të garonte në garat e sllallomit dhe sllallomit të madh që janë në programin e Lojërave Olimpike më 13 dhe 16 shkurt”.

“Dardanit i urojmë shërim të suksesshëm nga ky lëndim i rëndë dhe kthim të shpejtë në pistat e skijimit”.