Lajme

Lekaj: Vjosa Osmani nuk e meriton të rizgjedhet presidente e Kosovës

01/08/2026 17:32
nga:Genita C

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se Vjosa Osmani nuk e meriton të rizgjedhet presidente.

Lekaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, Osmani gjatë mandatit të saj është rreshtuar në krah të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk mendoj se Vjosa Osmani e meriton rizgjedhjen si Presidente. Gjatë mandatit të saj, ajo nuk ka arritur të jetë faktor uniteti, siç e kërkon Kushtetuta, por shpesh është rreshtuar politikisht dhe ka humbur neutralitetin institucional. Presidenca është shndërruar më shumë në zgjatim të qeverisë sesa në mekanizëm balancues të pushteteve”, tha Lekaj,

Madje sipas Lekajt, rezultatet konkrete në politikën e jashtme kanë munguar dhe siç thotë ai, kjo është edhe një ndër arsyet pse Kosovës i duhet një President/e që e përfaqëson Kosovën me maturi dhe kredibilitet më të madh ndërkombëtar.

“Po ashtu, në politikën e jashtme, përkundër retorikës së fortë, rezultatet konkrete për Kosovën kanë munguar. Marrëdhëniet me aleatët strategjikë janë tensionuar dhe Kosova nuk ka avancuar në procese kyçe integruese. Për këto arsye, vendit i duhet një Presidente që bashkon, që mbron Kushtetutën pa dallime politike dhe që e përfaqëson Kosovën me maturi dhe kredibilitet më të madh ndërkombëtar”, tha Lekaj për GazetaBlic.