Lajme

Lekaj thotë se për projektin e autostradës “Arbën Xhaferi, Qeveria e kaluar ua la “pataten e nxehtë në duar”

12/05/2023 14:20
nga:N K

Gjatë dhënies së mbrojtjes, ish-ministri i Infrastrukturës, tain deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në cilësinë e të akuzuarit tha se Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), iu kishte lënë probleme në projektin për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

“Kam pas njohuri që është diskutuar, por nuk është miratuar asnjëherë aneks-kontrata dhe çështjet i kanë lanë të mjegullta dhe pataten e nxehtë e kemi marrë ne dhe nga shuma e kemi vërejtur se nuk ka as për së afërmi me mundësi me kry këtë buxhet dhe është dashtë me bisedu me ministrin e Financave, Kryeministrin, që të mos shkaktojmë vonesa”, tha Lekaj, duke aluduar në atë se Qeverisë Haradinaj i mbetën problemet lidhur me pagesat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Lekaj gjatë deklarimit të tij sqaroi se projekti në fjalë në total ka pasur vlerën e 600 milionë eurove dhe se për pagesën e tillë, Qeveria e kaluar (Qeveria e LDK-së), nuk i kishte përfillur fare.

Fillimisht, Lekajt sqaroi se për vitin 2014 ishin të parapara që të paguheshin 70 milionë euro, kurse nga Qeveria e atëhershme ishin paguar vetëm 55 milionë euro, për vitin 2015 tha se ishin paraparë të paguheshin 220 milionë euro, kurse ishin paguar vetëm 112 milion euro dhe për vitin 2016 ishin paraparë të paguheshin 205 milionë euro, e ishin paguar vetëm 159.777 milionë euro.

Prandaj, sipas Lekajt, Qeveria e atëhershme me mosrealizmin e pagesave të parapara si në kontratë, kishte krijuar probleme për jetësimin e projektit në fjalë.

Lekaj tha se me të kuptuar problemet e krijuara në këtë projekt, kishte dalë në terren dhe se sipas tij, në terren ishte vërejtur realizmi i punimeve në nivelin e 25 për qind edhe pse kontrata kishte edhe tre muaj për të përfunduar.

Të gjendur në këtë situatë, Lekaj tha se i ishte thënë nga përfaqësues të “Bechtel and Enka” që çështja mund të përfundojë në Arbitrazh dhe se vetëm inicimi i procedurës së Arbitrazhit do t’i kushtonte Kosovës në total 7 milionë euro.

Lekaj, gjatë mbrojtës po ashtu tha se çuditet se si ka përfunduar në bankën e të akuzuarve, kur për çështjen e pagesës së 53 milionëve, ka pasur vendim të unamin të Qeverisë Haradinaj.

Më pas, seanca u ndërpre pasi që anëtarët trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli dhe Musa Koxheli kishin gjykim të planifikuar në trup gjykues me paraburgim.

Paraprakisht, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurori special Atdhe Demaj, që të konsiderohet e lexuar deklarata e përfaqësuesit të “Bechtel and Enka”, Ryadh Alkhazreji.

Po ashtu, janë aprovuar propozimet e mbrojtësit të të akuzuarve Eset Berisha, avokatit Afrim Salihu dhe mbrojtësit të Besim Kelmendit, avokatit Urim Vokshi, që në cilësi të provave materiale të administrohen provat materiale sipas shkresës së deponuar në gjykatë paraprakisht.