Lajme

Lekaj: Telefonata e Kurtit me komedianët rusë një dështim i madh diplomatik – Mund të ketë pasoja serioze për Kosovën

03/27/2025 16:28
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka rënë pre e dy rusëve të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Dy komedianët rusë i janë lajmëruar Kurtit duke iu paraqitur si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics, duke folur për zgjedhjet në Kosovë, për dialogun me Serbinë, emisarin amerikan, Richard Grenell, e çështje të tjera.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar ish deputeti Pal Lekaj, i cili këtë telefonatë e ka cilësuar si një dështim të madh diplomatik dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Telefonata e Albin Kurtit me komedianët rusë është një dështim i madh diplomatik dhe një tregues i shqetësueshëm për nivelin e sigurisë dhe profesionalizmit në zyrën e Kryeministrit. Fakti që ai ra pre e një mashtrimi të tillë tregon mungesë vigjilence dhe papërgjegjësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme si raportet me ndërkombëtarët dhe siguria kombëtare”, tha ai.

Tutje Lekaj thotë se përmbatjta e bisedës, përveç se tregon naivitetin e Kurti mund të ketë edhe pasoja serioze për Kosovën.

Ai thekson se kjo ngjarje ka dëmtuar imazhin e institucioneve tona dhe ka vënë në pikëpytje mënyren se si trajtohen komunikimet me nivelet më të larta shtetërore.

“Përmbajtja e bisedës, përveç se tregon naivitetin e Kurtit, mund të ketë pasoja serioze për Kosovën. Kjo ngjarje ka dëmtuar imazhin e institucioneve tona dhe ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si trajtohen komunikimet në nivelet më të larta shtetërore. Një kryeministër nuk mund të lejojë të manipulohet kaq lehtë dhe të flasë pa verifikim të identitetit të bashkëbiseduesve”, u shpreh Lekaj.

Gjithashtu ai potencon se ky incident duhet të jetë një alarm për rishikim urgjent të protokolleve të sigurisë dhe komunikimit në qeveri.

“Ky incident duhet të jetë një alarm për rishikimin urgjent të protokolleve të sigurisë dhe komunikimit në Qeveri, sepse Kosova nuk mund të përballojë të tilla skandale që e bëjnë vendin tonë të duket joserioz në sytë e partnerëve ndërkombëtarë”, përfundoi Lekaj për GazetaBlic.