Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se shumica nuk ka vullnet për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, sepse ‘nuk ka arsye’ që qeveria të japë dorëheqje.
“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrijnë ta bëjnë këtë gjë”, tha Konjufca raporton Gazeta Blic.
Në lidhje me deklaratën e Konjufcës ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj tha se pushteti si dhe kryetari i Kuvendit po lëshojnë deklarata për konsum publik në idenë e të shkuarit në zgjedhje.
Ai tha se Qeveria po i frikësohet zgjedhjeve dhe se të njëjtit po u’a gjuajnë topin opozitës.
“Pushteti, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit Konjufca po lëshojnë deklarata për konsum publik e për mjegulli në idenë e të shkuarit të vendit në zgjedhje.Kjo Qeveri dhe deputetët e saj po i frikësohen zgjedhjeve, dhe na gjuajnë topin neve si opozitë.
Ai tha se partia që ai përfaqëson ka një vit që e kanë ofertën për rrëzimin e qeverisë.
“Ne si AAK kemi një vit që kemi ofertën apo mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por që deri tani nuk ka funksionuar sepse nuk i kemi numrat e nevojshëm.Ne si AAK e kemi ofertën tonë për rrëzimin e Qeverisë, vetëm na duhet përkrahje nga të gjitha partitë opozitare dhe deputetët e shumicës që janë të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes”
Lekaj tha se i japin votat për shpërbërjen e Kuvendit vetëm në momentin që kryeministri Kurti dorëhiqet.
“Si mundësi e dytë e kemi dhënien e votave tona për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm atëherë kur Kryeministri Kurti jepë dorëheqje nga Qeveria e cila tani e shumë kohë ka humbë iden dhe mënyrën e qeverisjes në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës” tha Lekaj për “Gazeta Blic.
Konjufca: Shumicës i mungon vullneti për zgjedhje të reja përmes dorëheqjes së Qeverisë