Lajme

Lekaj: Qeveria Kurti krahas shumë dështimeve, ua vështirësoi punën edhe bizneseve

07/30/2024 21:28
nga:N K

Anëtari i Komisionit për Ekonomi, nga radhët e AAK-s Pal Lekaj në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua në lidhje me raportin e qeverisë aktuale me bizneset në Kosovë. Ai tha se qeveria Kurti përveç dështimeve të tjera as në raport me bizneset nuk bëri ndryshim, e sipas tij ajo në një forme po i lufton ato.

“Qeveria Kurti, krahas shumë dështimeve në digastere institucionale, edhe në raport me bizneset nuk bëri asnjë ndryshim të mirë e të nevojshëm, madje për më keq ka vështirësuar punën e tyre. Ky pushtet ka krijuar shumë burokraci dhe kufizime në ekonominë kosovare, e të cilat kufizuan dhe ndëshkuan operimin dhe funksionimoin e mirëfilltë të bizneseve në Kosovë. Qeveria po mbyll mandatin, ndërsa në vend të përkrahjes ajo në një formë po lufton bizneset”, deklaroi ai.

Tutje, deputeti tha se bizneset në Kosovë kanë nevojë për politika të mirëfillta, strategji e subvencione në paga për punëtorët e rinj.

“Bizneset e Kosovës kanë nevojë për politika të mirëfillta, qysh nga momenti kur të krijohen e deri te plasimet e produkteve dhe shërbimeve në tregun e brendshëm apo jashtëm. Bizneseve ju duhen strategji p.sh.: kur të krijohen të ndihmohen për dhënien e pronave, energjisë, ujit dhe kanalizimit, të lirohen nga obligimet financiare dhe tatimore për 2/3 vite nga shteti, të subvenciohohen në paga për punëtorët e rinj, etj”, tha ai.

Për në fund, Lekaj, thotë se vendi është mirë të shkojë në zgjedhje e të krijohet qeverisje e re.

“Bizneset kosovare kanë nevojë për dorën e shtetit, sikurse vendet fqinje, ndërsa në vendin tonë kjo ju ka munguar viteve të fundit. Mendësia dhe politikat ishin të dështuara, prandaj është mirë vendi të shkojë në zgjedhje e të krijohet një qeverisje e re, që besojë që do të sjellë ndryshime pozitive për bizneset dhe ekonominë e vendit”, përfundoi deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.

/GazetaBlic/