Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, komentoi vendimin e qeverisë, e cila ndau 100 euro lëmoshë për fëmijët dhe për pensionistët, raporton Gazeta Blic.
Lekaj në një prononcim për Gazeta Blic, theksoi se qeveria Kurti po fyenë dhe abuzonë me qytetarë duke iu dhënë 100 euro në formë lëmoshe.
“Qeveria Kurti po fyenë dhe abuzon me qytetarët duke ju dhënë 100 euro në formë lëmoshe. E them kështu, sepse që tri vite në qeverisje, kjo qeveri po abuzon me nevojat dhe gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, duke ju dhënë fëmijëve, studentëve, familjeve dhe pensionistëve nga 10, 20, 50 apo 100 euro”, tha ai.
Lekaj u shpreh se qeveria aktuale duhet ta dijë se nuk largohet varfëria e nevojat e vazhdueshme të qytetarëve me lëmosha financiare.
“Fatkeqësisht kjo po bëhet në prag të festave dhe ngjarjeve të rëndësishme, dhe kohë pas kohe në periudha të largëta, e që nuk po kanë asnjë efekt real. Kjo qeveri duhet ta dijë që nuk përmisohet jeta e qytetarëve dhe nuk largohen varfëria e nevojat e vazhdueshme të qytetarëve, me lëmosha financiare.
Fëmijët kanë nevojë qē me ligj ti dyfishohen apo trefishohen shtesat aktuale që momentalisht janë 10 e 20 euro”, theksoi Lekaj.
Tutje ai tha se shteti ka nevojë për investime, e cila duhet të vijnë me strategji të mirëfillta nga qeveria e Kosovës, por që e kanë harruar shtetin dhe është fokusuar tek shpërndarja e lëmoshave për qytetarët.
“Pensionistët kanë nevojë që t’u rritet pensioni mujor nga 100 në 150 euro. Qytetarët e sidomos sektori privat kanë nevojë për rritjen e pagës minimale me ligj nga 250 euro sa është aktualisht në 450 euro. Shteti i Kosovës ka nevojë për fabrika, projekte e investime të huaja, e të cilat duhet të vijnë me politika e strategji të mirëfillta nga Qeveria e Kosovës, e cila faktikisht e ka harru shtetin dhe institucionet dhe është fokusuar të jepë lëmosha tek qytetarët“, përfundoi Lekaj për Gazeta Blic.


