Lajme

Lekaj pas raportit të ‘Reporterëve pa Kufij’- Qeveria Kurti haptas ka luftuar mediat e vendit dhe gazetarët!

05/04/2024 21:53
nga:Y I

Kosova ka rënë 19 vende më poshtë sa i përket Indeksit të Lirisë së Shtypit.

Nga vendi i 56-të sa ishte, në raportin e fundit të ‘Reporterëve pa Kufij’, është rënditur në vendin e 75-të.

Në lidhje me këtë raport ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj tha se raporti tregon një të vërtetë të dhimbshme për median dhe fjalën e lirë në shtetin tonë.

Ai tha se Kosova dhe qytetarët meritojnë radio dhe televizione ku triumfojnë lajmet e vërteta në çdo kohë.

“Raporti i Reporterëve pa Kufij për Kosovën i publikuar ditë më parë tregon një të vërtetë të dhimbshme për median dhe fjalën e lirë në shtetin tonë.Politika e brishtë e Qeverisë Kurti ndaj mediave bëri që Kosova tē renditet 19 vende më poshtë në Indeksin për lirinë e shtypit krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo e vërtetë është shqetësim për median dhe vetë sistemin politik të Kosovës.Kosova dhe qytetarët, meritojnë radio-televizione, portale dhe gazeta të lira, ku triumfojnë lajmet e vërteta në çdo kohë pavarësisht a ju përshtaten Qeverive dhe Pushteteve të Kosovës” deklaroi Lekaj.

Ai tutje tha se “fatkeqësisht Qeveria Kurti haptas ka luftuar mediat e vendit dhe gazetarët”

“Fatkeqësisht Qeveria Kurti haptas ka luftuar mediat e vendit dhe gazetarët, dhe kjo e dëmtuar fjalën e lirë dhe demokracinë, e që me këtë është prish imazhi jonë në Evropë dhe arenën ndërkombëtare” deklaroi Lekaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Sipas raportit të ‘Reporterëve pa Kufij’, Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik” .

“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, tha për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.

/Gazeta Blic/

Kosova bie 19 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”: VV shtoi trysninë ndaj medias së pavarur