Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, njëherësh kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për Kosovën gjatë vitit 2024, sfidat dhe sukseset.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka eksperimentuar me qytetarët e Kosovës.
“Qeveria Kurti ka eksperimentuar me shtetin e Kosovës dhe qytetarët, duke krijuar një qeverisje që dështoi të adresojë nevojat themelore të vendit. Politikat dhe veprimet e saj kanë çuar në ngecje në zhvillim ekonomik, përkeqësim të shërbimeve publike dhe rënie të besimit në institucionet e shtetit”, ka thënë Lekaj.
Ai ka përmendur eksperimentet e Qeverisë në fushën e ekonomisë, teksa ka theksuar pagën minimale të pamjaftueshme, mungesën e investimeve kapitale e të tjera.
“Eksperimente në Ekonomi
• Rritje e ulët ekonomike: Kosova shënoi një nga normat më të ulëta të rritjes ekonomike në rajon, pa vizion për stimulimin e prodhimit vendor apo eksportit.
• Pagë minimale e pamjaftueshme: Nuk u sigurua asnjë përmirësim për mirëqenien e qytetarëve që varen nga paga minimale.
• Mungesë e investimeve të jashtme: Klima e pasigurt për investime ka larguar investitorët ndërkombëtarë.
• Mosmbështetje për bizneset: Mungesa e subvencioneve dhe incentiva për bizneset private ka dobësuar sektorin privat.
• Mungesë investimesh kapitale: Projekte infrastrukturore dhe të tjera të rëndësishme kanë mbetur vetëm në letër”, është shprehur deputeti.
Sipas Lekajt, qeveria ka bërë eksperiment edhe në shëndetësi, me mungesë të sigurimeve shëndetësore, pagave të ulëta e lista të gjata të pritjes.
“Eksperimente në Shëndetësi
• Paga të ulëta për personelin shëndetësor: Mjekët dhe infermierët ndihen të nënvlerësuar, duke sjellë migrimin e tyre.
• Lista të gjata pritjeje: Qytetarët vazhdojnë të përballen me pritje të gjata për shërbime mjekësore.
• Mungesë e sigurimeve shëndetësore: Premtimi për sigurime shëndetësore mbetet i parealizuar.
• Lista bazike e barnave: Qytetarët shpesh janë të detyruar të paguajnë nga xhepi për barnat bazike”, vlerën Pal Lekaj për Gazeta Blic.
Eksperimente ka pasur nga qeveria edhe në fushën e arsimit sipas deputetit.
“Eksperimente në Arsim
• Vetëm 5% e premtimeve për çerdhe të realizuara: Fëmijët dhe prindërit vazhdojnë të përballen me mungesa në infrastrukturën e arsimit parashkollor.
• Dështim në testin PISA: Arsimi mbetet pa strategji dhe vizion për përmirësimin e cilësisë.
• Mungesë stimulimi për mësimdhënësit: Pa rritje pagash apo motivim për mësimdhënësit, sistemi arsimor mbetet në krizë”, ka potencuar ai.
Lekaj përmend dhe fushën e sigurisë, teksa thotë se policët e ushtarët kanë qenë pa mbështetje.
“Eksperimente në Siguri
• Policët dhe ushtarët pa mbështetje: Ata që mbrojnë vendin janë lënë pa paga dinjitoze, pa ushqim dhe veshmbathje adekuate.
• Mungesë e dinjitetit për uniformën: Uniforma e sigurisë është degraduar për shkak të mungesës së vlerësimit dhe mbështetjes”, ka deklaruar deputeti.
Po ashtu, ai ka përmendur dhe pagat e vogla në sektorin privat e publik.
“Eksperimente me Sektorin Publik dhe Privat
• Pagat dhe koeficienti i ulët: Punëtorët e sektorit privat dhe publik janë lënë pa ngritje pagash dhe me kushte të vështira pune.
• Mungesë sigurimesh në vendin e punës: Punëtorët nuk ndihen të mbrojtur dhe të përkrahur nga shteti”, është shprehur Lekaj.
E, dështim e ka vlerësuar politikën e jashtme, pa njohje e me Asociacion.
“Eksperimente në Politikën e Jashtme
• Zero njohje të reja ndërkombëtare: Gjatë një mandati të plotë, Qeveria Kurti nuk arriti të sigurojë asnjë njohje të re për Kosovën.
• Asociacioni i Komunave Serbe: Vendimi për Asociacionin i dha Serbisë pushtet dhe legjitimitet juridik mbi pjesë të Kosovës, duke minuar sovranitetin e vendit”, ka theksuar ai.
Krejt në fund, deputeti i AAK-së thotë se qeveria ka abuzuar me besim të qytetarëve dhe mërgatës, andaj vlerëson se zgjedhjet e 9 shkurtit janë referendum dhe mundësi për ta larguar këtë qeveri të dështuar.
“Qeveria Kurti ka abuzuar me besimin e qytetarëve dhe të mërgatës, duke shpërfillur nevojat dhe interesat e tyre. Në vend që të përmbushë premtimet, kjo qeveri shpesh ka përdorur ironinë dhe arrogancën për të mohuar përgjegjësinë. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë më shumë se zgjedhje—janë një referendum për të ardhmen e Kosovës dhe një mundësi për të larguar një qeveri që ka dështuar në çdo front”, ka përfunduar Pal Lekaj, kandidat për deputet nga AAK, në zgjedhjet e 9 shkurtit./Gazeta Blic/