Lajme

Lekaj: Nuk duhet ta marrim si sukses lëvizjen e lirë me makina RKS në Serbi

01/05/2024 20:15
nga:Sh R

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se vendimi i qeverisë për lëzivjen e veturave nga Serbia pa stikersa, është një hap i rëndësishëm për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti Lekaj në një prononcim për Gazeta Blic, tha se ky vendim erdhi pasi që edhe Serbia lejoi që veturat me tabela RKS të lëvizin në Serbi.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të lejohen lëvizjet e veturave serbe në Kosovë pa stikersa, është hap i rëndësishëm në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo realisht erdhi, pasi Serbia lejoi para ca kohe që edhe makinat kosovare të lëvizin me tabela Rks në shtetin e tyre”, tha Lekaj për Gazeta Blic.

Ai thotë se Kosovën e presin hapa dhe vendime të rëndësishme në raport me Serbinë, ku çështja e targave do të mbetet temë e parëndësishme.

“Duhet të kemi kujdes, në ditët në vijim dhe fazat e mëtutjeshme të marrëveshjes së Brukselit. Kosovën e presin hapa dhe vendime shumë të rëndësishme në raport me Serbinë, ku do të lënë nën hije dhe do të mbetet temë e parëndësishme çështja e targave”, shtoi ai.

Lekaj thotë se nuk duhet që ta marrim si sukses lëvizjen e lirë me makina RKS në Serbi, pasi që Serbia dinë të befasoj dhe të ndryshoj vendime në momente të caktuara.

“Prandaj, as Qeveria Kurti dhe as Kosova mos ta merrë si sukses apo të arritur lëvizjen e lirë me makina RKS në Serbi. Serbia di të befasojë dhe ndryshojë vendime në momente të caktuara”, u shpreh ai.

Deputeti thotë se Kurti duhet të bashkëpunoj me spektrin polititk, dhe opozitën që të jenë të përgatitur për çdo gë.

“Ne duhet të jemi të përgaditur, dhe këtë ta bëjë Kryeministri Kurti duke afruar e bashkëpunuar ngushtë me spektrin politik, opozitën dhe akterët tjerë vendorë, e jo të bëjë të kundërtën siç e ka bërë deri tani”, përfundoi Lekaj për Gazeta Blic.