Lajme

Lekaj: LVV-ja ka dalë parti e parë në zgjedhje por s’e ka shumicën për formimin e institucioneve!

05/24/2025 10:02
nga:Y I

Dje ka dështuar për herë të 20-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Formimi i Komisionit për votim të fshehtë i hedhur në votim nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dështoi si herët e tjera.

Në lidhje me krizën institucionale që ka përfshirë vendin dhe si duhet të dilet nga ajo, ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj tha se për të dalë urgjentisht nga kjo krizë politike duhet që të gjithë aktorët politikë të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe kushtetutshmërinë e vendit.

Ai tha se edhe pse VV-ja ka dalë e para në zgjedhje, s’e ka shumicën për ti formuar institucionet.

“Për të dalë urgjentisht nga kjo krizë politike, duhet që të gjithë aktorët politikë të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe kushtetutshmërinë e vendit. Vërtetë Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e para në zgjedhje, por kjo nuk do të thotë se ka shumicën për të formuar institucionet. Pa një shumicë parlamentare të qëndrueshme, asnjë subjekt nuk mund të qeverisë i vetëm” deklaroi Lekaj.

Ai tha se është momenti që Vetëvendosje të ndalë me retorikën përçarëse dhe të pranojë realitetin politik.

Ish-deputeti i AAK-së, Lekaj, tha se ka ardhur koha për një qasje të re, të përgjegjshme dhe në të mirë të qytetarëve.

“Prandaj, është momenti që Vetëvendosje të ndalë me retorikën përçarëse dhe të pranojë realitetin politik: qeverisja nuk është e mundur pa dialog dhe bashkëpunim me spektrin e gjerë politik. Opozita është e gatshme të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të angazhohet në zgjidhje reale për vendin, duke i dhënë fund kësaj bllokade që po e dëmton rëndë Kosovën.Nuk ka kohë për inat politik apo për tentime të njëanshme. Ka ardhur koha për një qasje të re, të përgjegjshme, në të mirë të qytetarëve dhe stabilitetit institucional” tha Lekaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Nesër duke filluar nga ora 11:00 është tentativa e 21-të me radhë për formimin e institucioneve.

/Gazeta Blic/