Lajme

Lekaj: Kurti ka prirje për të promovuar arritjet e vogla si suksese të mëdha, problemet kryesore i lë të pazgjidhura

07/08/2024 18:23
nga:G C

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka komentuar deklaratat e fundit që kryeministri Kurti i ka dhënë në lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe asaj të Kulturës.

Edhe pse Kurti i ka lavdëruar këto ministri, Lekaj thotë se ka mjaft vend për kritika.

“Megjithëse Kryeministri Kurti ka lavdëruar punën e disa ministrive, ka disa arsye për të qenë skeptik dhe kritik ndaj këtyre deklaratave”, tha Lekaj.

Sipas Lekajt, sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me sfida shumë serioze.

“Së pari, në lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë, është e rëndësishme të theksohet se sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me sfida serioze, përfshirë mungesën e pajisjeve mjekësore dhe kushtet e dobëta të spitaleve. Ka pasur raportime të shumta mbi mungesat e barnave thelbësore dhe listat e gjata të pritjes për trajtime mjekësore, që sugjerojnë se lavdërimet për përmirësimet në këtë sektor mund të jenë të ekzagjeruara”, tha Lekaj.

Ndërsa, për ministrinë e Kulturës thotë se aktivitetet që vijnë nga këtu shumë shpesh varen nga organizatat ndërkombëtare, donacionet e tyre, e jo nga burimet e Qeverisë.

“Sa i përket Ministrisë së Kulturës, megjithëse ka pasur disa nisma të suksesshme, sektori kulturor në Kosovë është ende nënfinancuar dhe shpesh anashkalohet. Aktivitetet kulturore dhe sportet shpeshherë varen nga donacionet dhe mbështetja e organizatave ndërkombëtare, dhe jo nga burimet e qeverisë. Kjo tregon se ministria nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin kulturor dhe sportiv”, tha Lekaj.

Lekaj thotë se me lavdatat e fundit, kryeministri Kurti po mundohet për të mbuluar mungesat dhe problemet në qeverisjen e tij.

“Gjithashtu, lavdërimet e Kurtit mund të konsiderohen si një strategji për të mbuluar mungesat dhe problemet e vazhdueshme në qeverisjen e tij. Kritikat tona qendrojnë, Kryministri Kurti ka një prirje për të promovuar arritje të vogla si suksese të mëdha, ndërkohë që problemet më të mëdha mbeten të pazgjidhura”, tha Lekaj për GazetaBlic.

Zemaj fton Prokurorinë të veprojë: Kjo Qeveri po abuzon me buxhetin e Kosovës e me çmime të barnave