Lajme

Lekaj kërkon që Qeveria të japë llogari për deklaratat rreth rritjes ekonomike, thotë se janë të pasakta

09/03/2024 17:51
nga:Genita C

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka folur rreth deklaratave të vazhdueshme nga Qeveria për rritje ekonomike.

Lekaj në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, të dhënat konkrete nuk po flasin për rritje ekonomike.

Madje sipas tij, produkti i brendshëm Bruto nuk ka pësuar ndonjë rrije dhe siç thotë ai, investimet e drejtpërdrejta të huaja janë në nivel të ulët.

“Qeveria e Kosovës po deklaron rritje ekonomike dhe investime të drejtpërdrejta të huaja, por të dhënat konkrete tregojnë një histori krejt tjetër. Produkti i Brendshëm Bruto nuk ka pësuar ndonjë rritje të qëndrueshme që të justifikojë këtë optimizëm të tepruar. Po ashtu, investimet e drejtpërdrejta të huaja janë në nivel të ulët krahasuar me vendet e rajonit, duke treguar qartë se Kosova nuk po tërheq investime të reja siç pretendohet”, tha Lekaj.

Lekaj kërkon nga Qeveria të jetë më transparente dhe sipas tij, duhet dhënë llogari për deklaratat e pasakta.

“Qeveria të jetë më transparente dhe të japë llogari për këto deklarata të pasakta, që vetëm sa krijojnë një iluzion të stabilitetit dhe zhvillimit, ndërsa qytetarët tanë ende përballen me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale”, tha Lekaj për GazetaBlic.

Kurti thotë se solli “2.7 herë më shumë” investime të huaja direkte sesa qeveritë e kaluara: Po e bëjmë shtetin destinacion tërheqës