Lajme

Lekaj: Ka pengesa serioze në arritjen e një marrëveshje, deklarata e Sarrazin reflekton tensionet e vazhdueshme në procesin e dialogut

08/29/2024 21:25
nga:Sh R

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se do të krijojnë diçka më të madhe në tetor, në Berlin.

Ai pas këtij paralajmërimi, është shprehur se duhet kompromis dhe vullnet për marrëveshje politike, të cilat siç tha ai, mund të mos jenë të lehta për Serbinë, por as për Kosovën. Ndaj, u shpreh se po largohet paksa i brengosur që, sipas tij, nuk është arritur akoma në atë moment.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ku thotë se deklarata e Sarrazin reflekton tensionet e vazhdueshme në procesin e dialogut mes dy vendeve.

Tutje, thotë se kjo situatë tregon se ende ka pengesa të serioze në arritjen e një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

“Deklarata e Sarrazin që shpreh shqetësime për mungesën e gatishmërisë për kompromis dhe lëshime nga ana e Kosovës dhe Serbisë reflekton tensionet e vazhdueshme në procesin e dialogut mes dy vendeve. Kjo situatë tregon se ka ende pengesa serioze në arritjen e një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Shprehja e këtyre shqetësimeve tregon se përpjekjet për të arritur një konsensus po përballen me rezistencë dhe qëndrime të ngurta”, tha ai.

Sa i përket paralajmërimit të Sarrazin se do të krijojnë diçka të madhe në tetor, Lekaj thotë se kjo mund të sugjerojë një iniciativë të re ose një takim të rëndësishëm që synon të rinisë dialogun me propozime konkrete që mund të çojnë drejt përparimit, ku mund të përfshijë diplomatë të lartë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtarë.

“Sa i përket planit për të bërë “diçka të madhe” në tetor në Berlin, kjo mund të sugjerojë një iniciativë të re ose një takim të rëndësishëm që synon të rinisë dialogun me një qasje të freskët ose me propozime konkrete që mund të çojnë drejt përparimit. Një takim i tillë në Berlin mund të përfshijë diplomatë të lartë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar për të ushtruar presion mbi të dyja palët dhe për të ndihmuar në lehtësimin e një marrëveshjeje”, përfundoi Lekaj për GazetaBlic.

Sarrazin thotë se duhen kompromise “jo të lehta” mes Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE