Lajme

Lekaj: BE s’ka qenë aq korrekte, ky është gabimi i Kurtit në dialog – ai ka pranuar gjithçka

09/14/2023 22:28
nga:Sh R

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, reagoi pas takimit të sotëm në Bruksel, ku tha se rezultatet që do të dilnin nga ky takim kanë qenë të ditura për ta si subjekt politik.

Deputeti Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se AAK-ja në vazhdimësi i ka tërhequr vërejtjen për mënyrën dhe formën e dialogut përballë Serbisë, ku thotë se një shtet i cili i mban ende të pagjeturit e luftës as në ëndërr nuk e panon shtetësinë e Kosovës.

“Takimi Borrell – Kurti dhe rezultatet se qka do të dalin nga ky takim, kanë qenë të ditura nga ne si subjekt politik. Ne si AAK, në vazhdimësi kemi tërhequr vërejtje për mënyrën dhe formën e dialogut përballë Serbisë, një shtet i cili ende mban të pagjeturit e luftës dhe as në ëndërr nuk e pranon shtetësin e Kosovës”, tha Lekaj për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se kryeministri është në dialog i vetëm pasi që nuk ka dashur që ta ketë opozitën, ndërkombëtarët, ekspertët dhe shoqërinë civile në krah, ku thotë se ky është një gabim dhe se nuk përfundohet ky proces vetëm me një njeri.

“Kryeministri është në dialog i vetëm, sepse nuk ka dashur që ta ketë në krah opozitën, shoqërinë civile, ekspertët dhe ndërkombëtarët. Ky është gabimi sepse nuk përfundohet ky proces me një njeri të vetëm, dhe domosdo gishtin duhet ta drejtojmë nga kreu i Qeverisë për këtë momentum shtetëror”, u shpreh ai.

Ai thotë se Kurti dialogun fillimisht e filloi me sportivitet, duke u munduar që të bëjë manovra e filozofi politike me Serbinë dhe ndërkomëtarët.

“Kurti, fillimisht Dialogun e ka nisur me sportivitet, duke menduar që do të bëjë manovra e filozofi politike me Serbinë dhe ndërkombëtarët”, tha ai.

Më tej, deputeti thekson se Kurti ka pranuar gjithçka, dhe se ka dhënë shenja që janë në dëm të Kosovës, ku thotë se në anën tjetër ka refuzuar ide dhe strategji të ndërkombëtarëve mbi faza dhe ecurinë e procesit , ku kjo e bëri që BE dhe ndërkombëtarët ta humbin besimin ndaj kësaj qeverie në dialog.

“Në parim në njërën anë, kryeministri jonë ka pranuar gjjthçka, ka dhënë shenja dhe pajtime në dëm të Kosovës duke u thirrur në vigjilencë dhe aftësi diplomatike përballë palëve në proces. Por, në anën tjetër ka refuzuar ide dhe strategji të ndërkombëtarëve mbi faza dhe ecurinë e procesit. E kjo ka bërë që BE dhe ndërkombëtarët ta humbin edhe besimin ndaj kësaj qeverie në dialog”, shtoi ai për Gazeta Blic.

Lekaj thotë se duhet ta pranojmë që BE nuk ishte edhe aq korrekte, pasi kishte rolin e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë, atje ku ai thotë se këto gabime është dashur të ndalohen nga kryeministri Kurti në fillim të procesit dhe jo krejt në fund.

“Duhet ta pranojmë që BE nuk ka qenë aq korrekte, duke pasur rolin e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, ka pasur gabime të cilat është dashur të theksohen dhe ndalohen nga Kryeministri në proces e jo krejt në fund”, u shpreh ai.

Ai thotë se Kosova ka një pozicion jo të favorshëm ku kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm nga kthesa që duhet të bëjë kryeministri Kurti, dhe se duhet ta mbyll procesin me njohjen në qendër.

“Kosova ka pozicion jo të favorshëm, dhe gjendja mund të ndryshojë vetëm nga kthesa që duhet ta bëjë Kryeministri. Kosova ka nevojë ta mbyllë procesin me njohjen në qendër, dhe të vazhdojë proceset integruese brenda mekanizmave evropianë e ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Deputeti Lekaj thotë se nga ky mosbashkëpunim kryeminstri Kurti e ka bërë situatën dhe ngërçin shumë më të fortë, ku thotë se kur nuk ka besim nuk ka as marrëveshjë finale.

“Fatkeqësisht nga ky mos bashkëpunim dhe nga kjo lojë e dyfishtë si nga Kryeministri jonë, si nga BE dhe Serbia, e ka bërë situatën dhe ngërçin shumë të fortë. Pra, mungon besimi në këtë trinom politik, dhe kur nuk ka besim nuk ka as marrëveshje finale”, tha Lekaj për Gazeta Blic.