Lajme

Lekaj: As sot s’do të votohet Albulena Haxhiu, VV’ja është fajtore nëse vendi shkon në zgjedhje

04/21/2025 10:47
nga:Genita C

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka komentuar mundësinë e miratimit të kryeparlamentares së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), duke shprehur dyshime se ky propozim do të kalojë.

Ai për GazetaBlic theksoi se problemi kryesor është mungesa e numrave për të siguruar votat e nevojshme.

“Unë nuk besoj se sot do të arrihet të votohet Kryeparlamentarja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, për një arsye shumë të thjeshtë: nuk i kanë numrat,” tha Lekaj.

Ai shtoi se, nëse nuk sigurohen numrat e nevojshëm, nuk mund të pretendohet legjitimitet për të udhëhequr institucionet.

“Dhe kur nuk i ke numrat, nuk mund të pretendosh se ke legjitimitet për të udhëhequr institucionet,” theksoi ai.

Për më tepër, Lekaj paralajmëroi se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, përgjegjësia do të bie plotësisht mbi Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nëse vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje, përgjegjësia është plotësisht te VV, sepse arroganca dhe paaftësia për të ndërtuar bashkëpunim nuk mund të kompensohen me propagandë,” tha Lekaj.

Në fund, ai theksoi se mesazhi që populli dha në zgjedhjet e fundit është i qartë dhe i paqartë për VV.

“Populli i ka dhënë një mesazh të qartë në zgjedhjet e fundit, dhe duket se ata ende nuk e kanë kuptuar,” përfundoi ai.

AAK do të veprojë njëjtë edhe sot, nuk do ta votojë kandidaten e propozuar nga VV për kryeparlamentare