Lajme

Lekaj, AAK: Duke njohur politikat e kësaj qeverie, opozita dhe qytetarët, presin gjithçka nga Kurti!

04/17/2024 19:15
nga:Y I

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi dje pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u shpreh optimist pas takimit se në muajin maj mund të kemi një vendim pozitiv edhe në Këshillin e Ministrave.

Pas takimit që u mbajt në Strasburg, kryeministri Kurti, foli edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai tha se ‘nuk është në rregull të flitet për Asociacion pa folur për Marrëveshjen bazike’.

Në lidhje me çështje e Asociacionit dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj tha se votimi dje është një lajm i mirë për të gjithë ndonëse qeveria Kurti bëri kompromise jo të mira, duke i falë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

“Antarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një lajm dhe gëzim i madh për të gjithë kosovarët.Ndonëse Qeveria Kurti bëri kompromise jo të mira para pak kohe duke i falë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit”

Ai tha se duke njohur kursin dhe politikat e kësaj qeverie, opozita dhe qytetarët, presin gjithçka nga Kurti.

“Kryeministri ju dha serbëve 24 hektarë për të cilët sa ishte në opozitë i kundërshtoi me çdo kusht, ndërsa i dhuroi me dy duart vetëm për të realizuar njërin prej kushteve që Kosova të hyjë në Këshill të Evropës. Dhe ky veprim është mashtrim para qytetareve sepse ju ka premtuar të kundërten, që parimisht është menduar si diçka në të mirë të vendit.Dhe tani duke njohur kursin dhe politikat e kësaj Qeverie, ne si opozitë por edhe qytetarët presim çdo gjë nga Kryeministri dhe pushteti” deklaroi deputeti i AAK-së.

Lekaj u shpreh se nëse ‘ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës çështjen e Asociacionit i njëjti do të lëshojë bajrakun’

“Nëse Evropa dhe ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës çështjen e Asociacionit, pa dyshim që Kurti do të lëshojë bajrakun sikur në temën e zgjedhjeve në veri, dinarit, të targave, bashkimit kombëtar, bisedimeve me Serbinë, etj.Kosovën e presin tema dhe vendime të mëdha, dhe qasja e Kryeministrit që ti zgjidh i vetëm këto është gabim dhe dështim për të ardhmen e vendit” deklaroi Lekaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

 

Kurti: Nuk është në rregull të flitet për Asociacion pa folur për Marrëveshjen bazike!