Sporti

Legjenda i shokuar me kualifikimin e Realit: Nuk e kuptoj futbollin e ditëve të sotme

05/05/2022 18:40
nga:E K

Real Madrid bëri mrekullinë dje ndaj Man Cityt duke e eliminuar me një nga rikthimet më të bujshme në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e Ancelottit po humbiste me rezultat 4-3 nga dueli i parë me Cityn dhe ishte në disavantazh në Bernabeu pasi Mahrez realizoi për t’i dhënë epërsinë e parë Citizens, shkruan GazetaBlic Sport.

Atëherë kur të gjithë menduan se City po e siguronte finalen e Parisit, Rodrygo shënoi dy herë për 2 minuta për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

Në vazhdime Benzema realizoi edhe një gol tjetër për t’i dhënë lamtumirën Man Cityt.

Ish portieri legjendar i Manchester United, Peter Schmeichel tha se Reali nuk e meritoi aspak finalen e Ligës së Kampionëve.

Ai tha se Reali ishte me fat që kishte tifozët të pranishëm pasi City ishte në kontroll të ndeshjes deri në minutat e fundit.

“E vetmja ndeshje e mirë që Real Madridi ka luajtur në Champions League është fitorja 3-1 ndaj Chelsea. Ata nuk e meritojnë të jenë në finale”, tha fillimisht Schmeichel.

“Manchester City ishte në kontroll të plotë, por kjo është ajo që po flasim. Stadiumi i tyre është lojtari i tyre i 12-të”, shtoi Schmeichel.

“Nuk kuptoj më asgjë nga futbolli. Gjithmonë kemi thënë se rol të madh luan përvoja në këtë kompeticion, por ata kanë treguar edhe zemrën edhe dëshirën. Nuk mund të shihje asnjë panik te Reali”, përfundoi ish portieri i United.

/GazetaBlic Sport/