Legjenda e Juventusit, Dino Zoff, është shprehur i habitur me vendimin e trajnerit Igor Tudor për t’i dhënë Kenan Yildizit shiritin e kapitenit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Yildiz, i cili mori shiritin nga Manuel Locatelli në përballjen me Veronën, u paraqit si kapiten i Juventusit në “Santiago Bernabeu”, në një ndeshje që bardhezinjtë e humbën.
Pas takimit, talenti turk u shpreh krenar për përgjegjësinë e marrë, duke thënë se nuk e ndjeu si barrë shtesë.
Megjithatë, Zoff nuk e ka parë me të njëjtin sy këtë vendim.
“Nuk e kuptova fare këtë. Pse t’i japin shiritin e kapitenit një lojtari kaq të ri? Mendoj se është një gabim, sepse e ngarkon me përgjegjësi dhe presion të tepërt”, tha Zoff për mediet italiane, raporton RTKLive.com.
“Ka lojtarë shumë më me përvojë në skuadër që mund ta mbajnë këtë rol pa ndikuar në zhvillimin e Yildizit,” shtoi ish-portieri legjendar i Italisë dhe Juventusit.
Vendimi i Tudor për të promovuar Yildizin si kapiten është komentuar gjerësisht në Itali, me tifozët dhe analistët të ndarë mes vlerësimit për guximin e trajnerit dhe kritikave për rrezikun që mund të sjellë një përgjegjësi e tillë për një lojtar të ri.


