Kupa e Botës 2022

Legjenda e Gjermanisë “zhyt” Ronaldon: Më ngjall mëshirë!

12/19/2022 16:25
nga:E K

Një zhgënjim. I evidentuar edhe më tepër nga suksesi i rivalit të tij më të madh. Ndërkohë që bota festonte triumfin e Leo Messit, ishte e pamundur të mos t’i dedikosh një mendim edhe Cristiano Ronaldos.

Në Katar portugezi zhgënjeu, ndërsa argjentinasi udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores. Për Lothar Matthaus, Cristiano Ronaldo e njollosi në mënyrë të paevitueshme legjendën e tij.

“Dështimi më i madh i Botërorit është Ronaldo. Krejt e kundërta e Messit. Me egon e tij Ronaldo dëmtoi skuadrën e tij dhe vetveten. Nuk ka dyshim që ka qenë një lojtar i madh dhe një finalizues i nivelit absolut. Tani dëmtoi legjendën e tij. E kam të vështirë të mendoj që mund të gjejë hapësirë në ndonjë skuadër. Ronaldo më ngjall mëshirë”.

Për ikonën e futbollit gjerman, në këtë Botëror kanë dështuar dhe arbitrat.

“Ka pasur shumë gabime gjatë turneut dhe VAR-i nuk ka ndihmuar për t’i korrigjuar”.

Fituesi absolut edhe për Matthaus nuk mund të jetë askush tjetër veç Leo Messit.

“E meriton, pasi më ka dhuruar mua dhe të gjithë të pasionuarve të futbollit gëzim të madh me kualitetin e tij dhe mënyrën e tij të të luajturit. E ka bërë këtë për 17 apo 18 vjet. Për mua Messi është lojtari i këtij mijëvjeçari”.

Gëzimi i Messit, zhgënjimi i Ronaldos, dy histori diametralisht të kundërta për dy rivalët e mëdhenj në Katar.