Sporti

Legjenda e Chelseat afër të zëvendësojë Kompanyn te Burnley

05/31/2024 18:36
nga:E K

Burnley ka mbetur pa trajner, pasi Vincent Kompany mori rrugën për në Gjermani te Bayern Muncheni.

Skuadra angleze, që tashmë ka rënë në Championship, po konsideron disa emra si zëvendësues të trajnerit belg.

Njëri ndër emrat që po flitet më së shumti është edhe ai i Frank Lampard, i cili duket se po rikthehet në zejën e trajnerit pothuajse pas një viti.

Përvoja e fundit e Lampard ishte si trajner i përkohshëm i Chelseat, me anglezin që mbajti atë pozitë nga 6 prilli deri më 30 qershor 2023.

Kjo ishte periudha e tij e dytë te “Blutë e Londrës”, pasi për herën e parë ishte në krye të shtabit teknik për një sezon e gjysmë.

Frank Lampard, 45-vjeçar, kishte udhëhequr edhe Evertonin në Premier League, gjersa kishte bërë punë të mirë edhe te Derby në Championship.

Burnley gjatë sezonit të kaluar zuri vendin e 19-të në tabelën e Premier League, duke tubuar 24 pikë në 38 ndeshje.