Sporti

Leao gati të çojë Milanin në gjysmëfinale: Mësoj nga gabimet e mia

04/18/2024 08:30
nga:E K

Pasi zhgënjeu në ndeshjen e parë në “San Siro”, Rafael Leao është gati të ndryshojë marsh dhe të udhëheqë Milanin drejt një fitoreje të Romë, që do t’i çonte kuqezinjtë në gjysmëfinalet e Europa Leagues.

Sulmuesi portugez doli në konferencën e zakonshme për shtyp në krah të trajnerit Stefano Pioli, ku ndër të tjera tha se përpiqet të mësojë sa më shumë nga gabimet, për t’u përmirësuar dhe rritur vazhdimisht.

“Unë jam një futbollist që kur gaboj, punoj shumë për t’u kthyer edhe më i fortë. Sigurisht që ka edhe ndeshje ku nuk kam bërë më të mirën, por më shërbejnë për t’u rritur. E dimë mirë rëndësinë e ndeshjes ndaj Romës dhe të gjithë jemi gati të nxjerrim maksimumin, për të vazhduar rrugëtimin tonë në Europë. Shpresoj që t’ia dalim”, u shpreh portugezi.

Rafael Leao mbeti i izoluar në ndeshjen e parë në “San Siro”, por tashmë shprehet i bindur se në Romë gjithçka do të jetë ndryshe.

“E dimë forcën e Romës dhe pas ndeshjes së parë, i njohim edhe më mirë. Sigurisht që do të jetë një ndeshje tjetër dhe unë shpresoj të bëj më të mirën për të ndihmuar skuadrën të kualifikohet”, tha Leao.