Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka thënë se është e shqetësuar me bllokimin e dhjetëra projekteve kapitale nga qeveria aktuale e VV-së, të cilat, sipas LDK-së, janë fituar me mund dhe angazhim të madh në mandatin e udhëhequr Lutfi Haziri.
“Kanë kaluar tetë muaj nga marrja e mandatit dhe është zhgënjyese për LDK-në dhe për qytetarët që qeveria komunale nuk e ka nisur e vazhduar as edhe një nga këto projekte që kanë qenë të gatshme për implementim, e lëre më për projekte të reja as që bëhet fjalë”, thuhet në një komunnikatë për medie e LDK-së.
Sipas kësaj partie, Vetëvendosje e ka futur Gjilanin në depresion të thellë ekonomik e politik.
“Mosinteresimi për projektet zhvillimore të Gjilanit, në veçanti për stadiumin e qytetit, hyrje-daljet Gjilan-Bujanoc dhe Gjilan – Prishtinë, Impitanti për trajtimin e ujërave të zeza, projekti i ujërave të bardha, Fshati i Lumtur, Tregu i Gjelbër dhe të gjitha llojet e tregjeve etj., neve na bënë të shqetësuar për shkak se Gjilani nga qendra e investimeve më të mëdha publike që financohen nga institucionet ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës, ka rrëshqitur në një depresion të thellë politik e ekonomik”.
LDK ka publikuar një listë të projekteve që pretendon se kanë stagnuar nga kjo qeveri.



