Lajme

LDK: Vizita e Kurtit në SHBA tregoi pafuqinë e tij si kryeministër

05/23/2022 15:32
nga:G B

LDK ka mbajtur konferencë për media për vizitën e kryeministrit Kurti në SHBA, raporton Gazeta Blic.

Nënkryetarja e partisë, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se Kurti është kthyer nga SHBA në Evropë pas një vizite që ka zgjatur plot dy javë e gjysmë.

“Ishte një vizitë e tejzgjatur në shpërputhje me nivelin e saj dhe takimet e një kryetari qeverie të Kosovës. Për të përmbledhur vizitën e kryeministrit pasi qeveria nuk e përmbledhi, ai e mbylli vizitën pa asnjë takim me zyrtarë të lartë të SHBA-ve e pa pritje institucionale shtetërore, pa takime në Shtëpinë e Bardhë e departamentin e shtetit, dy institucionet ku ndërtohet politika e jashtme e Amerikës, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurti, për t’i hapur dyert në nivele të larta të politikëbërjes, madje në kohë të rëndësisë së madhe, të tronditjes së rendit e sigurisë evropiane e botërore, në kohën e agresionit rus në Ukrainë. Takimet e tilla të nivelit të lartë janë të zakonshme për krerët e shteteve të rajonit, siç kanë qenë të zakonshme edhe për vetë Kosovën. Kosova tashmë ka ndërtuar një standard të takimit të niveleve të larta në SHBA”, tha ajo.

Ajo e quajti shëtitje vizitën e Kurtit, derisa tha se ai këtë e bëri në kohë krize ekonomike në vend.

“Shëtitja e Kurtit në SHBA në këtë kohë të tronditjes së sigurisë evropiane e globale, si dhe në kohë krize ekonomike në vend, zbeh peshën e vizitave institucionale që ka pasur Kosova çdoherë. Jo çdo takim në të kaluarën në SHBA ka dhënë rezultate por kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë edhe vetëm takime”, u shpreh Mjekiqi./Gazeta Blic/