Lajme

LDK: Vazhdon kriza e çmimeve, Qeveria vazhdon injorimin

05/11/2022 17:36
nga:G B

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për ngritjen e çmimeve, derisa ka thënë se qeveria po vazhdon injorimin ndaj kësaj krize.

Përmes një postimi në Facebook, LDK ka thënë se me shqetësim të thellë po e përcjell rritjen rekorde të çmimeve, që po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për qytetarin, përcjell Gazeta Blic.

Po ashtu, LDK ka thënë se qeveria ka zgjedhur t’i injorojë propozimet e tyre për të tejkaluar krizën, duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë.

Postimi i plotë në Facebook:

VAZHDON KRIZA E ÇMIMEVE

VAZHDON INJORIMI I QEVERISË

Lidhja Demokratike e Kosovës, me shqetësim të thellë po e përcjell rritjen rekorde të çmimeve, e cila për çdo muaj po vazhdon të bëhet më e papërballueshme për qytetarin. Inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani.

LDK, përveçse ka ngritur shqetësimet e saj në lidhje me krizën e papërballueshmërisë së çmimeve, ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë. Përballë propozimeve tona, pushteti popullist ka zgjedhur injorimin e krizës, duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë.

Paaftësia kushton. Çmimi i paaftësisë së popullistëve është ky inflacion rekord.