Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, përmes makinerisë propagandistike po kontrollon çdo institucion.
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, në një prononcim për GazetaBlic, deklaron se qytetarët kërkojnë një shteg daljeje nga kriza, një mundësi për përballueshmëri të krizës së çmimeve, dhe krizës energjetike, kriza këto, sipas saj, të shkaktuara nga padija dhe arroganca e pushtetarëve.
“Pushteti që kontrollon çdo institucion, përmes makinerisë propagandistike në ndërtimin e së cilës ka punuar gjatë, po mundohet të ngrisë në diskutim publik çdo temë të mundshme, përpos atyre që prekin direkt jetën e qytetarëve – aty ku Qeveria po dështon në mënyrë spektakolare. Shkrimi i djeshëm i kryetarit Abdixhiku, “Terri ka adresë”, ngrit çështjen më të rëndësishme për qytetarët tanë, reduktimet në mes të verës, si dhe rënien e dyshimtë nga funksioni të bllokut A5; zhvillime këto që po vështirësojnë jetën e qytetarëve, dhe po i godasin të gjitha bizneset pa dallim. Për krizën ekonomike në përgjithësi – atë energjetike në veçanti, LDK dhe kryetari Abdixhiku, i kanë ofruar pushtetit alternativa, ide dhe propozime të shumta – nga pozicioni opozitar, të cilat janë refuzuar nga Qeveria me një përbuzje të pashembullt duke e përkthyer këtë përpjekje konstruktive në gjuhë të papranuar deri në fyerje në nivele personale. LDK në krye me Abdixhikun nuk do të imitoj askënd, madje nuk ka edhe çfarë të imitohet, përkundrazi LDK është duke demonstruar të kundërtën e asaj çfarë ka bërë kryeministri derisa ishte në opozitë, duke injektuar të paqenën e sot në pozitë duke i braktisur të gjithë kauzat mbi të cilat ka mbijetuar”, deklaron ajo.
Tutje, ajo thekson se LDK do të vazhdojë me përgjegjësi, të jetë kujdestare duke ofruar propozime alternative gjithmonë në lehtësimin e jetës së qytetarëve”
“Pavarësisht përpjekjeve të ‘spin doktorëve’ të ndryshëm, e të makinerisë kibernetike të pushtetit; qytetarëve të Kosovës nuk iu interesojnë më simbolika apo çfarëdo tema të tilla të ngjashme. Qytetarët kërkojnë një shteg daljeje nga kriza, një mundësi për përballueshmëri të krizës së çmimeve, dhe krizës energjetike, kriza këto të shkaktuara nga padija dhe arroganca e pushtetarëve. LDK do të vazhdojë me përgjegjësi, të jetë kujdestare duke ofruar propozime alternative gjithmonë në lehtësimin e jetës së qytetarëve”, thotë Halimi.


