Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë, ku janë pajtuar që të mos bashkëpunojnë me partinë në pushtet, e as nuk bëhen pjesë e një qeverie ku nuk udhëheqin me atë qeveri, raporton Gazeta Blic.
Përmes një njoftimi për media, thuhet se Kryesia ka vendosur që LDK nuk synon të punojë për një qeveri afatshkurtër, pasi nuk sjell stabilitet qeveritar.
“Lidhja Demokratike e Kosovës tani është e fokusuar të rikthehet në angazhimin e saj drejt zgjedhjeve lokale, më e fuqishme dhe drejt synimit të saj për rritjen e rezultatit elektoral. Me një punë të madhe, LDK është e vendosur të fitojë besimin e qytetarëve dhe të rrisë numrin e komunave nën udhëheqjen e saj”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Nën udhëheqjen e kryetarit, dr. Lumir Abdixhiku, sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gjatë mbledhjes u diskutua rreth rezultatit zgjedhor të LDK-së, performancës nëpër degë të Kosovës, performancës së degëve në mërgatë si dhe pozicionit politik të LDK-së pas rezultatit final.
Ashtu siç dhe e theksoi kryetari Abdixhiku në konferencën pas këtij takimi të gjatë, Kryesia ka vlerësuar pozitiv dhe në rritje rezultatin e Lidhjes Demokratike pas procesit zgjedhor, si rezultat të mbarë dhe stabil për vetë partinë, ndërsa LDK do të angazhohet maksimalisht që kjo trajektore e rritjes të vazhdojë.
Kryetari Abdixhiku po ashtu theksoi se nuk ka pasuar asnjë takim me partinë në pushtet dhe asnjë parti tjetër. LDK mesazhin dhe pozicionin e saj e ka të qartë, dhe ashtu siç ka thënë edhe më herët që nuk bashkëpunon me partinë në pushtet; po ashtu në asnjë rrethanë nuk është pjesë e çfardo zgjidhje ku nuk udhëheqë me Qeverinë. Ndërsa Kryesia gjithashtu ka vendosur që LDK nuk synon të punoj për një Qeveri afatshkurte, pasi që e vlerëson se një gjë e tillë nuk sjellë stabilitet qeveritar.
Lidhja Demokratike e Kosovës tani është e fokusuar të rikthehet në angazhimin e saj drejt zgjedhjeve lokale, më e fuqishme dhe drejt synimit të saj për rritjen e rezultatit elektoral. Me një punë të madhe, LDK është e vendosur të fitojë besimin e qytetarëve dhe të rrisë numrin e komunave nën udhëheqjen e saj.


